Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin ka qenë në një panik të madh, për shkak të frikës nga mundësia për një revolucion të mundshëm në Moskë.
“Ukraina dhe Rusia kanë qenë historikisht të afërta dhe ai është tmerruar nga efekti i Ukrainës mbi të dhe në Rusi. Ai ka qenë në një panik total rreth mundësisë së një të ashtu-quajturi revolucioni me ngjyrë edhe në Moskë – dhe kjo është arsyeja pse ai mundohet kaq brutalisht që të shfryjë flakë mbi lirinë e Ukrainës”, ka deklaruar ai.
Johnson ka mohuar se NATO është motiv i agresionit të Putinit në Ukrainë.
“Mendoj se ai është frikësuar për një arsye krejtësisht tjetër. Ai është frikësuar nga Ukraina, sepse në Ukrainë, kanë shtyp të lirë, zgjedhje të lira… dhe për çdo progres të Ukrainës, ai frikësohej nga shembulli i saj”, ka thënë Johnson. Nëse dilni kundër Putinit në zgjedhje, “helmoheni ose vriteni”, ka thënë kryeministri britanik.
Johnson ka tërhequr një paralele mes veprimeve të Rusisë në Ukrainë dhe atyre të nazistëve të Adolf Hitlerit në vitet ’40.
“Një tragjedi vazhdon të shtrihet në kontinentin tonë evropian, një sulm i egër dhe barbar mbi civilët e pafajshëm, një të tillë që s’e kemi parë nga vitet 1940. Për secilën ditë që rezistenca heroike ukrainase vazhdon, është e qartë se Putin ka bërë një gabim katastrofal”, ka thënë Johnson.
Sulmet ruse në Ukrainë ai i ka quajtur “sulme barbare mbi civilët e pafajshëm”.
Po ashtu, Johnson ka paralajmëruar se presidenti rus nuk do ta ndal luftën në Ukrainë dhe sipas tij, një fitore në Kremlin, do të ishte një kumbim për “fillimin e një epoke të re frikësimi në Evropën lindore”.
“Kjo do të ishte një dritë e gjelbër për autokratët gjithandej”, ka thënë Johnson.
Lideri i konservatorëve në Britani, këto komente i ka bërë gjatë një fjalimi të zjarrtë para bashkëpartiakëve të tij, që është përcjell edhe nga ambasadori ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar, Vadym Priystaiko.