Borell: BE-ja është për mbajtjen e kufijve aktualë të Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borrel, dje në një bisedë me disa gazetarë të vendeve evropiane, foli edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ku tha se BE-ja është e gatshme për vazhdimin e dialogut, porse duhet pritur sqarimi i situatës politike në Kosovë.

“Ne nuk jemi në garë me SHBA-në rreth dialogut. Është vetëm një dialog, e ai është dialogu që e ka nisur BE-ja. Nëse Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë, kjo është mirë, të na japin një dorë ndihme. Ne nuk veprojmë për qëllime propagandistike, por bëjmë punë serioze për të rinisur dialogun, i cili është i bllokuar”, tha Borrell, transmeton REL.

Kosova, qysh më 25 mars, është me qeveri në detyrë, ndërsa këtë javë Gjykata Kushtetuese e vendit i ka dhënë mbështetje dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar një kryeministër të ri, pa shkuar në zgjedhje.

Duke u përgjigjur në pyetjet rreth ideve për ndryshimin e kufijve, më saktësisht për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, Borrell shprehu një ndryshim pozicioni në krahasim me atë që ka thënë më herët, kur nuk e ka përjashtuar këtë mundësi.

Ai tha se idetë e tilla nuk kanë mbështetje dhe se BE-ja do të preferonte që të mbahet gjendja e tanishme e kufijve.

“Së pari, duhet thënë se marrëveshja duhet të jetë mes serbëve dhe kosovarëve. Nëse ata nuk pajtohen, atëherë asgjë. Por, është thënë tashmë se marrëveshja duhet të pranohet nga bashkësia ndërkombëtare. Kosova dhe Serbia nuk i kanë duart e lira që të vendosin çfarëdo të duan, sepse mund të ketë edhe pasoja kolaterale në rajon. Dihet shumë mirë se sa e ndjeshme është të ndryshohen kufijtë dhe nëse filloni t’i ndryshoni kufijtë në një vend, atëherë edhe të tjerët mund të thonë se duan të njëjtën gjë. Pra, gjëja më e mirë për t’u bërë është ruajtja e status kuo-së dhe të shihet se si do të shkojnë negociatat. Është e qartë se ne në BE do të preferonim të ruhet gjendja e tanishme sa u përket kufijve. Po ashtu, disa shtete anëtare janë kundër çfarëdo lëvizjeje në këtë drejtim”, tha Borrell.

Më herët, shefi i diplomacisë evropiane, Zhozep Borrell, ka thënë se opsioni i shkëmbimit të territoreve është çështje për të cilën duhet të vendosin palët negociuese.

Ideja për ndryshimin e kufijve si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është shpërfaqur nga vetë presidentët e të dyja vendeve në vitin 2018, por ajo ka hasur në reagime për dhe kundër si në Prishtinë dhe Beograd, ashtu edhe te komuniteti ndërkombëtar.

Borrell u pyet edhe për të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili është nga Sllovakia – shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai dha të njëjtin argument si edhe më herët, duke thënë se sikur i dërguari i posaçëm të ishte nga ndonjë vend që e ka njohur Kosovën, atëherë Serbia do të mund të ishte e pakënaqur.

Borrell tha se duhen ndalur këto kritika dhe se duhet punuar në mënyrë serioze, sepse, sipas tij, bëhet fjalë për diplomat që përfaqëson Bashkimin Evropian.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Përfaqësues të posaçëm në dialog tani kanë edhe Shtetet e Bashkuara, diplomatin Riçard Grenell.