“Bombat” e reja, biseda të përgjuara që besohet të jenë mes Kamçevit dhe Gruevskit

Biznesmeni Orce Kamçev i tregon në detaje ish-kryeministrit të arratisur Nikolla Gruevski se çfarë ka thënë në deklaratën e tij për rastin “Parcelat në Vodno” në Prokurori. Në bisedë, Kamçevi është i bindur se nuk do të ketë aktakuzë në këtë rast dhe e bind Gruevskin se nuk e ka përmendur në asnjë kontekst.

Ndër të tjera, Kamçev i ankohet Gruevskit se të gjitha rastet kundër tij i trajton prokurorja Lile Stefanova. Ajo ka qenë e pranishme derisa ka dhënë deklaratë në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion, ku ka qenë edhe prokurorja Gordana Smaqoska. Bisedat e përgjuara mes Gruevskit dhe Kamçevit janë publikuar në kanalin YouTube “The truth above all”. Nuk dihet se kush i ka publikuar dhe as nëse kjo bisedë është regjistruar me masa të posaçme hetimore apo përmes një aplikacioni të posaçëm për regjistrimin e bisedave telefonike që mund të shkarkohet në çdo telefon të “mençur”.

Sipas regjistrimit, Gruevski dhe Kamçevi janë duke biseduar para prokurorisë për ngritjen e akuzave në rastin “Parcelat në Vodno” në vitin 2021. Të dy janë të akuzuar. Gruevski për pastrim parash, respektivisht se ka blerë parcela nga arka partiake e VMRO-DPMNE-së. Sipas aktakuzës, Kamçevi, nga ana tjetër, ka marrë pjesë në fshehjen e gjurmëve se prona është e Gruevskit.

Por, muajin e kaluar, në mbrojtjen e tij para gjykatës, Kamçevi tha krejt të kundërtën nga ajo që kinse i kishte thënë ish-kryeministrit në incizime, përkatësisht Kamçevi e përmendi Gruevskin në deklaratën e tij. Ai tha se e dinte që Gruevski ka parcela në Vodno dhe ka bërë shkëmbim me të, përkatësisht i ka dhënë Gruevskit tri apartamente në kompleksin Panorama në këmbim të parcelave.

Mediat e pyetën Prokurorinë nëse dhe çfarë masash do të marrin pas bisedave të publikuara telefonike. Nga aty na thanë se nga nesër do të vendosin për ndonjë masë të mundshme. Ndryshe, me ligj ndalohet publikimi i bisedave telefonike pas skandalit me të ashtuquajturat “bomba” që në vitin 2015 i kishte publikuar LSDM-ja./ Alsat.mk