“Bo*mba” të reja publikohen në internet, në shënjestër funksionarë të VMRO-DPMNE-së

Tetë ditë para ditës së zgjedhjeve incizimet e paligjshme në internet nuk kanë të ndalur. Sot dolën tre biseda të reja të përgjuara mes sekretarit të përgjithshëm të VMRO – DPMNE-së Igor Janushev dhe Mile Janakieskit në YouTube. Incizimi daton nga viti 2013 ose nga dita e zgjedhjeve të atëhershme lokale. Të dy flasin për fikjen e ashensorëve në ndërtesat në Qendër të Shkupit.

BISEDË E PËRGJUAR
“Igor Janushev: U dëgjova me Milloshin ai thotë se nuk di çfarë të bëj me ashensorët.
Mile Janakieski: Le t’ua f…. vëllai”
Në kanalin “Youtube” në mënyrë anonime gati disa ditë publikohen incizime joligjore ku figurat kryesore janë krerët e LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së. Përveç tyre incizime inkriminuese ka edhe për bashkëpartiakët e tyre. Zaev në intervistë për “MIA” paralajmëroi se ka ngritur padi për publikim joligjor të “bombave” që të vërtetohet prejardhja e tyre.

“Tashmë kemi ngritur padi penale për përgjim joligjor, për incizim joligjor dhe kërkojmë që kjo të vazhdojë deri në fund- tha Zoran Zaev- lider i LSDM-së.
Por Prokuroria e demanton këtë gjë.
Prokuroria Themelore Publike
“Deri në këtë moment në Prokurori nuk kanë arritur padi për bisedat e përgjuara të publikuara”.

Krahas zyrtarëve të VMRO-së, paralelisht publikohen biseda edhe për LSDM-në. Në to shpesh përmendet emri i Vice Zaevit vëllai i Zoran Zaevit kurse dje u publikua video- incizim për të cilën konfirmohej se është takim mes Boki 13 Katica Janevës dhe eventualisht Radmilla Sheqerinskës.