1 mijë e 134 euro të buxhetit të shtetit kanë arritur t’i konsumojnë gjatë tetorit të 2011-të pjestarët e sigurimit të Kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçit në byfenë e qeverisë.
Në dosjen SaHanShefi Kallxo.com zbulon se pjestarë e sigurimit të Thaçit kishin të drejtë të porosisnin ushqime e kafe në llogari të buxhetit të shtetit.
Fatura mujore për pjesëtarët e sigurimit është mbi 1 mijë euro ndërsa shpenzimet janë mjaft interesante. Njerëzit të cilët e ruanin Thaçin në atë kohë nga 1 deri 31 tetor 2011 kanë arritur të konsumonin 388 gota qumështi me qokollatë të njohura si bambi. 431 kafe, 107 coca cola, 127 lëngje të dredhëzës dhe rreth 200 lëngje të tjera.
Sigurimi në faturë shihet se ka konsumuar edhe 200 shishe ujë ndërsa kur shikohet edhe porosia e ushqimt është mjaft interesant. Për një muaj garda e kryeministrit ka ngrënë 68 omletë kanë pirë 97 supa dhe kanë ngrënë rreth 130 sallata. Sigurimi i Thaçit nga fatura shihet se kanë qenë adhurues të picave pasi për një muaj kanë ngrënë rreth 220 pica.Në fatura nuk ka të dhëna për numrin e pjestarëve të sigurimit.
Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.
Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.
Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.