Blushi: Ilir Metën e kanë goditur në kokë. Telefonova Tonin Vocajn, as ai s’e dinte ku ishte ish-Presidenti

Sekretari i Përgjithshem i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka folur për arrestimin e Ilir Metës, duke e quajtur një aksion të dhunshëm nga Forcat Operacionale të Policisë.

Madje ai jo vetëm tha se u arrestua dhunshëm, po sipas tij një nga efektivët e ka goditur Metën në kokë.

“Është dhunuar, është goditur në kokë Meta. Pamjet filmike e tregojnë më së miri. Është goditur në kokë nga këta banditë”, tha ai për “Opinion” në Tv Klan.

Madje ai tha se për orë të tëra nuk e dinin se ku ndodhej Meta dhe se kishte telefonuar drejtorin e Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, por që sipas tij as ai nuk e dinte se ku ndodhej ish-presidenti.

“Është goditur në kokë nga këta banditë, të cilët i kanë zënë rrugën befasisht, e kanë rrëmbyer dhe as familjarët e tij, as zyrtarët e Partisë së Lirisë, as oficerët e Gardës nuk e dinin për orë të tëra ku ndodhej z.Meta.

Kam kontaktuar personalisht Tonin Vocajn se nuk e dinim ku ndodhej, menduam që ka qenë një akt kriminal. As Vocaj në fillim nuk e dinte, pastaj na njoftoi, tha po ma sollën tek Drejtoria e Tiranës.

Ky është një rrëmbim politik, që ka pasur, dyshoj, ndoshta ka pasur qëllim edhe eliminim fizik të z.Meta”, tha ai ndër të tjera.