Bllokohet rruga në afërsi të pikës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës në Merdarë

Raportohet se është bllokuar rruga pranë pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë, nga pjesa serbe.

Sipas “REL”, dy vetura, ku njëra prej tyre ka flamurin serb në dritare, dhe disa persona të tjerë, janë vendosur në mes të rrugës që çon drejt Merdares.

Ndërkohë, gjatë ditës është paralajmëruar se sot do të bllokohen edhe dy pikat tjera kufitare, Jarinjë, Bërnjak, si dhe pikëkalimi mes Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEX-it po qëndrojnë pranë pikës kufitare në Jarinjë, derisa është paralajmëruar bllokimi i së njëjtës dhe të tjerave me Serbinë nga i ashtuquajturi “Këshill Organizativ për Bllokada”.

Sipas “KP”, ata po vëzhgojnë gjendjen në terren dhe qarkullimi i automjeteve po vazhdon pa problem.

Në anën tjetër, kryetari i të ashtuquajturit Asociacion i qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë, Rasha Rojeviq, kishte thënë se bllokada do të filloi nga ora 18:00.

Bllokada do të fillojë në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës. Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të merr kontrollin e veriut të Kosovës.” – ka thënë ai.

Më herët gjatë së premtës, zëvendësdrejtori për Rajonin e Veriut, Veton Elshani ka thënë se situata në pikën kufitare në veri është e qetë, përkundër paralajmërimeve të serbëve se do të bllokojnë pikën kufitare në pjesën e Serbisë.

Elshani tha se nuk dihet për numrin e protestuesve dhe se nuk është me rëndësi derisa ata nuk tentojnë të hyjnë në territorin e Kosovës.

“Nuk kemi informacion për numrin e protestuesve, për neve nuk është me rëndësi se sa persona janë, munden me qenë me mijëra por janë në pjesën e tyre, nëse tentojnë të hyjnë në anën tonë, ne jemi këtu. Nuk parashihet se do të ketë probleme në veri, e në bazë të bllokadës dhe do të veprojmë.” – ka thënë Elshani.

Tutje, ai është shprehur:

“Nuk ka nevojë për forca të shtuara të KFOR-it pasi asgjë nuk do të ndodh në veri, nëse tentojnë të vijnë në veri ne këtë punë kemi, të sigurohemi që nuk kallet pika kufitare, dhe i marrim masat e duhura. Gjithçka është në rregull, kurrë më mirë s’ka qenë”,

Ndërkohë institucionet e Kosoëvs kanë paralajmëruar qytetarët që të kenë kujdes gjatë kalimit tranzit nëpër Serbi dhe të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.”

“Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.” – thuhej në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës

Tutje, MPJD ka kërkuar nga qytetarët e mërgimtarët që t’i ndjekin me kujdes këto zhvillime.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri.” – thuhej në njoftim.