Bllokada bullgare, Musliu: “Dy kryeministrat e kanë nisur për së mbari”

Dy kryeministrat, Kovaçevski dhe Petkov, mandatin e tyre e kanë nisur për së mbari për sa i përket tejkalimit të bllokadës në rrugën eurointegruese të RMV-së, vlerëson analisti politik, Albert Musliu.
Sipas tij, vizita e parë e Petkovit në Maqedoninë e Veriut është në dobi të dialogut dypalësh që ky ngërç të gjejë zgjidhjen. Narativi pozitiv i tyre pas takimit ishte shpresëdhënës, thotë Musliu.

“Mendoj se edhe kryeministri Petkov u kthye në Bullgari me një narrativ pak më të butë për popullatën bullgare edhe kryeministri Kovaçevski prezantoi një përfitim dhe një shpresë për debllokim të procesit për periudhën që vijon. Fakti që e disperzuan gjithë problemin në më shumë komisione dhe u dhanë atyre komisioneve dinamikë, një pjesë e atyre komisioneve që kanë të bëjnë edhe për përfitime ekonomike edhe infrastrukturore për të dy palët është për t’u përshëndetur, ashtu që takimi i djeshëm besoj se nga të gjithë është vlerësuar si pozitiv dhe shpresëdhënës.”,- tha analisti politik, Albert Musliu.

Veç narrativit pozitiv takimi midis dy kryeministrave përbën një inkurajim edhe për partnerët euroatlantik të vendit, thotë Musliu.

“Ky takim i djeshëm ishte shenjë dhe inkurajim edhe për partnerët tanë euroatlantik se edhe përfundimi i këtij kontesti duhet të shihet edhe nga qytetarët e dy shteteve si kompromis i arritur nga të dy palët, pavarësisht se në begraund do të bëhet presion, do t’i inkurajojnë ose do të sugjerojnë solucione, prapë se prapë pas asaj dje mendoj se edhe kur do të përfundojë kjo të dy palët do ta prezantojnë si kompromis të të dy palëve i arritur në takimet direkte.”,- tha analisti politik, Albert Musliu.

Musliu pret që komisionet të realizojnë takime sipas dinamikës që e kanë përcaktuar teksa shpreson se bllokada mund të hiqet edhe gjatë kryesimit të Francës me presidencën e BE-së, nëse dy vendet vazhdojnë me këtë energji pozitive.