Bllok antiperëndimor? Kina, Rusia dhe rendi i ri botëror

Në këto kohë kthesash të mëdha sikur nuk vihen re shumë disa lajme, që në vetvete kanë potencialin e paralajmërimit të kthesave të mëdha. Kur Bundestagu javën e kaluar me shumicë të qartë votoi për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë, një pasazh në fund të dokumentit ishte po ashtu shumë domethënës. Kinës i kërkohet me vendosmërri të heqë dorë nga miratimi i luftës si edhe të mbështesë një armëpushim. Kësaj i shtohej një kërcënim i qartë: Nëse Pekini do të minojë sanksionet perëndimore apo madje do të dërgojë armë në Ukrainë, kjo do të sillte si pasojë edhe sanksione kundër Kinës.

Lamtumira nga naiviteti i Merkelit
Paralajmërime të tilla para disa javësh ishin të pamendueshme, ashtu si edhe dërgimi i tankeve në Ukrainë. Kjo kthesë e politikës gjermane shënon në radhë të parë një lamtumirë të pakthyeshme me politikën e Kinës të Merkelit apo më saktë naivitetit në lidhje me Kinën, që e vinte fokusin tek bizneset lukrative që bënte ekonomia, por që nuk donte t’i shihte përpjekjet agresive të Pekinit si superfuqi.

Krijimi i një blloku
Europa shumë herë e përçarë me fillimin e luftës në Ukrainë është bashkuar më shumë me SHBA. Se ku qëndron Kina në këtë konstelacion dihet prej kohësh. Ngushtë në krah të Rusisë. Afrimi i Rusisë me Kinën në një bllok nuk është një vogëlsi. Ajo tregon një zhvendosje të rendit botëror, kthesë epokale, si e kemi parë me rënien e Murit të Berlinit. Pyetja që shtrohet është se sa i qëndrueshëm është blloku kinezo-rus në të vërtetë. Në fillim të Lojërave Olimpike Putini dhe Xi Jinping kishin bërë të ditur, se partneriteti kinezo-rus “nuk njeh kufi”.

Rusia dhe Kina bashkohen në atë që si fuqi ekspansive duan ta ndajnë botën në zona influence. Rusia po zhvillon për këtë një luftë brutale në Ukrainë. Kina kërcënon nga ana e saj gjithnjë e më hapur integritetin territorial të Tajvanit. Kundërshtari i përbashkët është SHBA në këtë zgjerim pushteti. Po ashtu edhe krahas unitetit strategjik, Pekinin dhe Moskën e bashkon refuzimi i vleraven perëndimore-liberale, frika nga demokracia brenda vendit, përndjekja e disidentëve dhe krijimi i një kulti të personit.

Presidentja e KE propozon sanksionet e reja kundër Moskës

Megjithkëto blloku Rusi-Kinë nuk është aq i fortë sa duket në pamje të parë. Kina vërtet i refuzon sanksionet kundër Rusië, por është larg asaj të ndihmojë Rusinë në pasojat ekonomike që do të ketë. Në radhë të parë kjo nuk është në interes të Kinës. Kina ka interes tek tregu europian. Vëllimi ekonomik i BE në vitin 2020, sipas Bankës Botërore, është dhjetë herë më i madh se ai i Rusisë. Rusia nuk mund të zëvendësojë tregun europian, prej të cilit Kina është e varur. Tjetra, politika “zero covid” e presidentit Jinping po i fut në krizë të rëndë qytete si Shangai. Kohët kur Pekini u jepte kredi të majme vendeve në Rrugën e Mëndafshit kanë kaluar. Në këtë bllok është e qartë se kush është lart dhe kush poshtë. Që para luftës zyrtarët kinezë e shihnin nga lart-poshtë Rusinë.

Firmat gjermane të varura nga Kina
Sanksionet e dobësojnë Rusinë dhe Kina mund të përfitojë. Sepse mund të blejë naftën dhe gazin rus me çmim të lirë dhe do të zgjerojë influencën e saj në Azinë Qendrore në kurriz të Rusisë. “Fitorja më e madhe është ajo që nuk kërkon asnjë betejë”, ka shkruar njëherë filozofi ushtarak kinez, Sunzi. Kjo duket të jetë edhe strategjia e Jinpingut. Të qëndrojë larg, të presë, derisa një Rusi e dobësuar t’i nënshtrohet vetë Pekinit.

Ndoshta prandaj në të gjitha raundet për Rusinë në Berlin, në sfond qëndron si problem Kina. Varësia nga energjia ruse mund të zgjidhet, por varësia nga tregu kinez, nga zinxhirët e furnizimit, high-tech etj, kjo është e vështirë të pritet. Në fund Kina do të jetë problemi më i madh, këtë e tregon kjo kthesë epokale.