Bllacë, hetohen 30 policë

30 policë të sistemuar në vendkalimin kufitarë “Bllacë” ndodhen nën masa hetimore të kontrollit të brendshëm për shkak të dyshimeve se kanë dëmtuar qëllimisht kamerat trupore të policisë. Alsat nga burime brenda policisë ka mësuar se motivi i prishjes së kamerave dyshohet të jetë mënjanimi i provave nga situatat kur policët abuzojnë me detyrën zyrtare. Për vërtetimin e përgjegjësisë dhe prishjen e qëllimshme të kamerave policia ka nisur disa procedura hetimore. Deri tani nuk ka kallëzime penale.

“Kontrolli i Brendshëm është duke punuar për këtë rast. Është konstatuar se është prishur një kamerë dhe 12 kabllo-karikues për kamera. Është zbatuar masë disiplinore ndaj 30 personave, ndërsa po zbatohet edhe procedurë për dëm material. Po merren edhe masa tjera sanksionuese”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

Hetimi i prishjes së kamerave trupore vjen paralelisht me hetimin e iniciuar pas skandalit me ryshfetin në këtë pikë kufitare ku ditë më parë u denoncuan dy policë për marrje ryshfeti, vepër e cila u dëshmua përmes video incizimit të publikuar nga emisioni “Stop”.

Kallëzimet e dy policëve, Elham Shkreta dhe Zylbehar Rakipi kanë arritur në Prokurori Publike nga ku edhe pritet të procedohet për ndjekjen penale. Për marrje ryshfeti, Kodi Penal parashikon nga 5-10 vite burg. Kontrolli i brendshëm në MPB po heton nëse ekziston rrjet apo grup i organizuar kriminal, gjë për të cilën janë shkëmbyer edhe informacione nga policitë e rajonit, respektivisht policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

Kamerat trupore policia vendase ka filluar t’i përdorë nga vitit 2018, ndërsa si fillim projekti është aplikuar tek policia rrugore dhe njësitë speciale. Për shkak të nevojës dhe transparencës institucionale, MPB-ja mori disa donacione nga ambasada dhe shtete mike për të zgjeruar projektin edhe tek njësitë kufitare dhe departamentet tjera në kuadër të MPB-së. /Alsat.mk