Blerta Deliu-Kodra: “Qytetarët kanë blerë produkte medicinale me çmime 2 mijë për qind më të shtrenjta”

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se shpreson që projektligji për të rregulluar çmimin e barnave të marrë mbështetjen e deputetëve të shumicës dhe të miratohet. Pas mbledhjes së kryesisë, ajo tha se qytetarët kanë blerë produkte medicinale me çmime dy mijë për qind më të shtrenjta.

“Nëse i shihni shpenzimet vjetore, qytetarët kanë paguar 6 milionë euro më shumë në vit sesa qytetarët e vendeve të rajonit me çmimet e larta të produkteve medicinale. Barnat e njëjta janë blerë me çmime të ndryshme dhe si PDK kemi synuar që përmes këtij projektligji ta rregullojmë çmimin e barnave në Kosovë”.

“Synojmë që në seancës e radhës së kuvendit të miratohet një projektligj që ndihmon që të mos varfërohet xhepi i qytetarëve në këto rrethana të rënduara me çmime që janë tejet të larta. Presim që projektligji të marrë mbështetjen e deputetëve të shumicës dhe të miratohet”, deklaroi Deliu.