Blerim Latifi: “E patolerueshme dhe absurde të ndalohen studentët ndërkombëtar të vizitojnë memorialin e Adem Jasharit”


Absurd e ka quajtur ndalimin e studentëve ndërkombëtarë të universitetit veror të Prishtinës për të vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, profesori univeristar, Blerim Latifi.

Madje një ndalesë të tillë, Latifi e ka quajtur tregues se Memorial më i rëndësishëm kombëtar i historisë moderne të Kosovës nuk është nën kujdesin e duhur të shtetit.

Edhe po të kishin qenë studentë serb, filozofi Blerim Latifi, tha se është dashur të lejohen, sepse përmes vizitës do të mund të shihnin edhe vetë çfarë ka bërë atje shteti i Serbisë para 24 viteve.

“Ndalimi absurd i studentëve ndërkombëtarë të universitetit veror të Prishtinës që të vizitojnë Kompleksin Memorial “Adem Jashari’ në Prekaz, na e tregon një problem serioz: Memoriali më i rëndësishëm kombëtar i historisë moderne të Kosovës nuk është nën kujdesin e duhur të shtetit. Aty paska mundësi që secili kapadai e patriot i rremë të bëj ligjin dhe të vendosë se kush mund të hyjë apo të mos hyjë aty”, shkroi Latifi në Facebook, derisa shtoi se një gjë e tillë është e turpshme dhe patolerueshme.

“Edhe studentët serbë është dashur të lejohen, sepse kështu ata, me sytë e tyre, do të kishin mundësi me pa me sytë e tyre se çfarë ka bërë aty para 24 vitesh shteti i tyre. Po ashtu edhe mundësinë me u bindë se versioni që shteti serb vazhdon me e tregu për Adem Jasharin është një gënjeshtër makabre”, përfundoi ai.