Blerim Latifi: Anton Çetës po refuzojnë t’ia vendosin shtatoren në Prishtinë vetëm për shkaqe fetare

Profesori universitar, Blerim Latifi, thotë se refuzimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës në Prishtinë ka shkaqe fetare.
“Anton Çetën po e refuzojnë sepse ishte katolik dhe për mendjet anadollake përkatësia kombëtare e dikujt nuk ka kurrfarë vlere para përkatësisë fetare”, shkruan Latifi në profilin e tij në Facebook.

Reagimi i tij i plotë:
Një gjë duhet ta keni të qartë: ata që sot po e pengojnë vendosjen e shtatores së Anton Çetës në Prishtinë, nesër kanë me kërku që të hiqen edhe shtatorja e Nënë Terezës dhe ajo e Skënderbeut.

Një kohë pata menduar se refuzimi për ta vendosur Anton Çetën në oborrin e Institutit Albanologjik, ishte thjesht çështje inatesh personale mes akademikësh. E kisha gabim. Ky refuzim ka thjesht dhe vetëm shkaqe fetare.
Anton Çetën po e refuzojnë sepse ishte katolik dhe për mendjet anadollake përkatësia kombëtare e dikujt nuk ka kurfarë vlere para përkatësisë fetare.

Janë këto mendje që prej vitesh mundohen të depërtojnë me helmin e tyre në gjithë jetën institucionale e kulturore të Kosovës, me qëllimin e vetëm që ta kthejnë këtë vend edhe njëherë në një vilajet të mjerë, siç ishte për shekuj me rradhë.