Blerim Bexheti: Fundi i debateve, në zyrën e Ahmetit

Të gjitha pakënaqësitë e degëve të BDI-së për mos përfilljen në ndarjen e resorëve kanë përfunduar në zyrën e kreut të partisë Ahmeti. Këtë e konfirmoi vet Blerim Bexheti, njëri ndër kryetarët e degëve i cili kishte shprehur pakënaqësi. Ahmeti tha se debati është shterë.
“Debatet i bëjmë në zyrë të kryetarit dhe në seli dhe skam çka foli pas kryetarit- tha Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit.

Blerim Bexheti duket se ka zbutur tonet, pas pakënaqësive të shprehura për anashkalimin e degës së Sarajit në ndarjen e ministrive dhe posteve tjera drejtuese në ekzekutiv.
Edhe kreu i integristëve Ahmeti e pranoi se janë shterë debatet për këtë çështje duke shtuar se partia po përgatitet për zgjedhjet lokale.

“…nuk kemi kohë të bëhen debate, debati është shterë, institucionet konstituohen, tani duhet të përveshen mëngët, duart që të përgatitemi për zgjedhjet lokale dhe të fillojmë ta implementojmë atë program për të cilin ne kemi dalë para qytetarëve dhe kemi kërkuar besimin e tyre dhe ai besim nuk ka munguar- pohoi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Pavarësisht premtimeve të zyrtarëve të lartë të BDI-së për hapjen e shpejtë të kufijve, e madje edhe duke paralajmëruar shumë shpejtë pirjen e kafesë në Prishtinë, Ahmeti sot tha se për këtë qëllim duhet respektuar vendimi Institucioneve kompetente.
“Është çështje e ekspertëve, është çështje e Institutit të lartë të Shëndetit Publik dhe institutet e dy vendeve tona, si të tonit ashtu edhe të Kosovës duhet të bëjnë vlerësim sepse është edhe përgjegjësi e shtetit që gjërat ti vendos sipas vlerësimeve shkencore dhe të ekspertëve- tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së

Rreth çështjes së hapjes së Kufijve me Kosovën dhe rajonin, reagoi ashpër edhe opozita shqiptare, e cila kërkoi që ministrat e BDI-së të mos i hapin ato në rrjetet sociale, por të sjellin vendimin në Qeveri.