Bjellorusia kërcënon Poloninë, nis stërvitje ushtarake për të ‘çliruar rajonet’


Vetëm 9 km larg kufirit me Poloninë, Bjellorusia ka ndërmarrë një vendim shqetësues duke nisur stërvitje ushtarake me qëllim ‘çlirimin e territorit’ dhe ‘rimarrjen e kontrollit mbi rajonet kufitare’. E njëjta retorikë është përdorur nga presidenti rus Vladimir Putin për të justifikuar sulmin e tij në Ukrainë në fillim të vitit kur para pushtimit, ai organizoi disa stërvitje të ngjashme ushtarake pranë kufirit ukrainas përfshi dërgimin e disa qindra mijëra trupave ushtarake.

Bjellorusia një aleat i ngushtë i Rusisë, tha se stërvitjet, të vendosura vetëm 30 km nga kufiri i Ukrainës dhe 9 km nga Polonia, do të praktikojnë ‘çlirimin e një territori të kapur përkohësisht nga armiku’ dhe ‘rimarrjen e kontrollit mbi rajonet kufitare’.

Minsk është ankuar për muaj të tërë për vendet e NATO-s që grumbullojnë ushtarë pranë kufijve të saj – Polonia, Lituania dhe Letonia janë të gjithë anëtarë të aleancës – gjë që po rrit sasinë dhe intensitetin e stërvitjeve bjelloruse në rajon si formë kundër-përgjigjeje.

Ministria bjelloruse e mbrojtjes shtoi se stërvitjet, të cilat do të zgjasin deri më 14 shtator, do të praktikojnë ‘sigurimin e masave të forta të ligjit ushtarak’ si dhe luftën kundër ‘armikut dhe formacioneve të armatosura të paligjshme’. Deri në 7,500 trupa, 260 automjete të blinduara dhe rreth 30 avionë dhe helikopterë do të marrin pjesë në stërvitje, njoftuan mediat lokale.