Biznesmenët mbështesin referendumin për emrin


Nëse Maqedonia tani nuk e kap trenin dhe nuk hyn në Bashkimin Evropian dhe NATO do të humbasë miliarda euro nga fondet evropiane. Të rinjtë do të zhgënjehen, emigrimi do të rritet dhe investitorët e huaj do të fillojnë të largohen. Biznesmenët janë kategorikë se nëse vendi nuk e shfrytëzon tani mundësinë dhe t’i bashkohet familjes evropiane, do të jetë plotësisht i izoluar.

Paqëndrueshmëria do të ndikojë në hyrjen e investimeve të huaja, që do të zvogëlohen, shkëmbimi tregtar do të reduktohet dhe kjo do të ndikojë në punësimet. Nga ana tjetër, një miliard euro do të humben nga BE-ja, që është e gatshme t’i japë Maqedonisë për anëtarësimin eventual – tha Shtefan Piter, Kryetar i Këshillit të investitorëve të huaj.

Një pjesë e kompanive vendase që ishin pjesë e tribunës mbi perspektivat e Maqedonisë nga anëtarësimi në BE dhe NATO thanë se kishin probleme me likuiditetin, veçanërisht në tregun e brendshëm. Ata presin që shifrat do të rriten me integrimet evropiane.

Likuiditeti i kompanive që janë të orientuara në eksport është i qëndrueshëm, çfarë është problem në këtë moment dhe për këtë arsye duhet të zgjidhet me urgjencë çështja e anëtarësimit në NATO dhe stabiliteti i ekonomisë është kapitali i brendshëm dhe kompanitë vendase – u shpreh Irena Jakimovska, kompania “Kofi Angel”.

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe në perspektivë në Bashkimin Evropian do të sjellë përfitime dhe një mundësi të madhe për ekonominë e Maqedonisë. Ne nuk do të bëhemi ekonomikisht të pasur si Gjermania dhe Holanda, të paktën jo në dekadat e para, por ekonomia do të jetë shumë më e begatë dhe qytetarët do të kenë mundësinë për një jetë më të mirë – theksoi Nikolla Xhambazovski, Banka Komerciale.

Kryeministri Zaev u tha kompanive se përmes një referendumi të suksesshëm Maqedonia do të ketë një integrim të shpejtë në familjen evropiane. I pyetur nëse Maqedonia duhet të lëviz drejt NATO-s dhe BE-së me një shpejtësi prej 50 kilometrash në orë si një “Vespa”, ose me 150 kilometra në orë si një motor tip BMW, u përgjigj se kjo mund të arrihet vetëm me motorë të shpejtë, apo me lëvizjen e shpejtë të të gjithë ekonomisë. Për shkak të shpejtësisë së dëshiruar, Zaev nga biznesmenët mori një jelek mbrojtës për motoçiklistë.