Situata e tejzgjatur me pandeminë e virusit Covid-19, ka bërë që të pësojnë shumë sektore dhe të jenë të goditura bizneset e vogla dhe të mesme. Kjo më së shumti i referohet Tetovës dhe rrethinës, ku pjesa më e madhe e bizneseve që funksionojnë – llogariten si ndërmarrje të mesme.
Pikërisht këto ndërmarrje gjatë viteve të kaluara kanë qenë lokomotiva e ekonomisë në Tetovë, kur dihet se një numër i madh i fuqisë punëtore janë të punësuar në këto ndërmarrje.
Përjashtim në këtë gjendje nuk bëjnë as ndërmarrjet e vogla me më pak të punësuar. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shprehet se Qeveria e re duhet që të gjejë mënyra dhe forma për të ndihmuar këto biznese.
“Pasojat e pandemisë në ekonominë e qytetit të Tetovës janë të mëdha. Këtë e tregojnë edhe shifrat, ku Tetova kryesisht është një qytet ku dominojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përveç atyre ndërmarrjeve të mëdha të cilët kanë aktivitete tjera dhe mund të mbijetojnë.
Mund të themi se këto ndërmarrje të mëdha nuk janë të ndërlidhura në mënyrë direkte me shërbimet dhe në këtë drejtim, kanë më pak probleme. Kurse ndërmarrjet tjera, të cilët janë të ndërlidhura direkt me shërbime, në këtë kohë kemi më pak kërkesa për ato shërbime, prandaj edhe pasojat rëndojnë më shumë ndaj këtyre kompanive”, thotë Arifi.
Nebi Jusufi, nga agjencia “Esa” thotë se shteti duhet që të gjejë mënyra të shpejta për të ofruar ndihmë për këto ndërmarrje që menjëherë të fillojnë të punojnë me kapacitete të plota pas tejkalimit të gjendjes së jashtëzakonshme me koronavirusin.
“Aq sa zgjatë periudha e pandemisë, më rëndë do të jetë që këto biznese të rikthehen në gjendjen e mëparshme, pasi kryesisht këto kompani mbijetojnë në bazë të qarkullimit ditor, prandaj rikuperimi varet krejt nga rikuperimi i gjendjes së përgjithshme të qytetarëve”, thotë ai. Ato biznese që janë duke punuar në këtë kohë, funksionojnë që të mbulojnë harxhimet mujore dhe për të paguar punëtorët. Edhe pse shumë firma të vogla tashmë kanë filluar të punojnë, megjithatë të njëjtët funksionojnë me kapacitete më të vogla për dallim nga vitet e kaluara.
Goditja më e madhe që i është bërë ekonomisë në Tetovë dhe rrethinë është edhe mosardhja e mërgimtarëve në vendlindje. Tradicionalisht, viteve të kaluara, gjatë verës Tetova gjallërohej me ardhjen e mërgimtarëve. Në këtë mënyrë ringjallej edhe ekonomia e vendit ngase shumë biznese varen direkt nga përfitimet gjatë këtij sezoni. Këtë verë gjendja është shumë e rëndë sidomos ata që pësojnë janë restorantet, ku shumica e dasmave janë anuluar.
Poashtu goditje të rëndë ka pësuar edhe sektori i ndërtimtarisë, kur dihet se vetëm mërgimtarët janë ata që e mbajnë gjallë sektorin e ndërtimtarisë. Mosardhja e mërgimtarëve si dhe gjendja Covid-19 që po zgjat, ka bërë që Tetova e cila ka me mijëra biznese të vogla dhe të mesme, të stagnojë ekonomikisht, kurse bizneset druajnë se gjendja më e rëndë do të jetë gjatë periudhës së dimrit. Shumica e këtyre bizneseve kanë mbijetuar nga të ardhurat e mërgimtarëve, dhe më pas kanë siguruar mbijetesën për gjatë tërë vitit, kurse këtë vit do të detyrohen të mbyllen shumë prej këtyre ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.