Bisedimet Kosovë-Serbi, marrëveshje ekonomike pa prezencën e ekspertëve të fushës

Në Uashington po mbahen takimet mes palës kosovare dhe asaj serbe. Në Prishtinë janë ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me përbërjen e delegacionit të Kosovës. Edhe pse kryeministri Hoti është me formim ekonomik, mirëpo njohës të çështjeve politike po kritikojnë ekzekutivin për mungesë të ekspertëve të ekonomisë në delegacion meqë në Uashington thuhet se po diskutohet kryesisht për marrëveshje të kësaj fushe. Po ashtu, edhe për nga numri i pjesëmarrësve thuhet se është i lartë.

“Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, por që ndikojnë në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun regjional dhe evropian”, ka thënë ndër të tjera shefi i ekzekutivit nga Uashingtoni.

Atje nga e hëna, përveç tij, po qëndrojnë edhe zëvendëskryeministrat Driton Selmanaj e Albulena Balaj.

Gjithashtu pjesë e delegacionit janë edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ai Infrastrukturës, Arban Abrashi, ajo e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj dhe koordinatori për dialog Skënder Hyseni e shefja e kabinetit të kryeministrit, Ardita Dushi.