Bisedë telefonike mes Pendarovskit dhe Radevit

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski sot ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me çrrastë i ka uruar marrjen e funksionit dhe i ka dëshiruar mandat të suksesshëm.

Nga kabineti i presidentit njoftojnë se zhvillimet më të reja në planin bilateral mes dy vendeve fqinje me theks vizita e para ca ditëve e kryeministrit bullgar në Shkup si dhe mbledhja e përbashkët e dy qeverive që do të mbahet të martën kanë qenë temat rreth së cilave kanë biseduar dy presidentët, Pendarovski dhe Radev.

“Me këtë rast presidenti Pendarovski ka përshëndetur vënien e dialogut mes dy qeverive dhe ka shprehur gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për intensifikimin e tyre në periudhën e ardhshme”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kabineti i presidentit Pendarovski.

Në drejtim të thellimit të dialogut mes dy vendeve, dy presidentët kanë shqyrtuar mundësinë e një vizite zyrtare të Pendarovskit në Sofje.