Bisedë Spasovski-Trudo: Kovid-19 është sfidë globale dhe nevojiten përgjigje globale

Kryeministri Oliver Spasovski, sot përmes video lidhjes konferenciale, realizoi bisedë me kryeministrin e Kanadasë, Xhastin Trudo, me ç’rast të dy u pajtuan se Kovid-19 është sfidë globale dhe se nevojitet përgjigje globale, deri te e cila duhet të arrihet me bashkëpunim më të afërt përmes institucioneve multilaterale.

Siç kumtoi pres-shërbimi i Qeverisë, kryeministri Spasovski gjatë bisedës u falënderua për rolin aktiv, të cilin Kanadaja e luan në nivel global në ballafaqimin me Kovid-19, por edhe për ndihmën që ia ofroi shtetit tonë për tejkalimin e pasojave nga koronavirusi i ri.

Spasovski e ka theksuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe të vazhdueshëm dhe partneritetin me Kanadanë, dhe me këtë rast ka potencuar se me anëtarësimin tonë në NATO hapen mundësi shtesë për bashkëpunim, për çka ekzistojnë interes për të dy palët.

Kryeministri i Kanadasë, Trudo, ka shprehur kënaqësi nga bashkëpunimi i fuqishëm bilateral. Ai theksoi se krenohet për përkrahjen që Kanadaja e ka dhënë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe që në të ardhmen të dy vendet do të bashkëpunojnë afër si aleatë.

“Gjatë bisedës, Trudo theksoi se Kanadaja vazhdon t’i përkrah përpjekjet dhe aspiratat e vendit tonë për anëtarësim në BE dhe dërgoi urime që Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë tri viteve të kaluara ka arritur rezultate të rëndësishme dhe të tejkalojë sfida të mëdha për ta realizuar aspiratat Euro-atlantike të shtetit dhe të gjithë qytetarëve”, thuhet në kumtesën e pres-shërbimit të Qeverisë.