BioNTech kërkon miratimin e vaksinës kundër COVID-19 për fëmijët nën 12-vjeç

Kompania bioteknologjike BioNTech do të aplikojë për miratim për vaksinën e saj kundër koronavirusit të ri (COVID-19) për fëmijët nën 12-vjeç, njoftoi kompania.

“Ne do t’i paraqesim rezultatet e studimit tonë midis fëmijëve të moshës 5 deri në 11-vjeç tek rregullatorët e të gjithë botës në javët e ardhshme dhe do të aplikojmë për autorizimin e vaksinës sonë për këtë grupmoshë, gjithashtu këtu në Evropë”, tha për përjavshmen gjermane “Der Spiegel”, Özlem Türeci, bashkëthemeluese dhe shefe mjekësor i BioNTech.

Ajo tha se vaksina është e njëjtë me atë që aktualisht përdoret për grupmoshat tjera, por doza e saj do të modifikohet për grupmoshën më të re.
Gjetjet e hershme të studimeve të kryera nga firma farmaceutike gjermane treguan se një dozë më e ulët e vaksinës është e sigurt dhe efektive për grupmoshën 5-11 vjeç, dhe kompania tashmë ka filluar përgatitjet për prodhim.

“Duket mirë, gjithçka po shkon sipas planit”, tha bashkëthemeluesi Uğur Şahin.
Nëse Agjencia Evropiane e Barnave e aprovon, Gjermania mund të fillojë vaksinimet për grupmoshën që në mes të tetorit, raportoi e përjavshmja.