Bill Gates prezanton “mënyrën e vetme për ta eliminuar pandeminë”

Themeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka qenë vazhdimisht i angazhuar me çështjen e pandemisë, duke dhënë këshilla, sugjerime e edhe vërejtje shteteve për menaxhimin e përhapjes së koronavirusit.

“Mënyra e vetme për ta eliminuar kërcënimin e COVID-19 nga një shtet, është që ta eliminosh në të gjitha shtetet”. Kështu u shpreh Gates në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OBK). Ai theksoi se e vetmja gjë që duhet bërë është të prodhohet një vaksinë “e sigurt dhe efikase”, që ai parashikon se do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.

“Mund të ketë edhe më shumë se një vaksinë. Falë saj, bota më në fund do të ketë mundësinë që ta çrrënjosë kërcënimin e pandemisë dhe t’i kthehet jetës normale. Por, vaksina nuk mjafton. Duhen prodhuar miliona vaksina dhe të gjendet strategjia më e mirë për shpërndarjen e saj”, theksoi Gates.
Ai gjithashtu nënvizoi se vaksina duhet të jetë për të gjitha vendet.