Bill Gates flet për konspiracionin e mikroçipave!


Miliarderi amerikan dhe themeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, i hodhi poshtë teoritë e konspiracionit që janë përhapur në mediat sociale, se ai qëndron prapa një komploti për të përdorur vaksinat kundër koronavirusit për të implantuar mikroçipe në njerëz.

“Nuk kam qenë kurrë i përfshirë në gjëra të tilla”, tha Gates në një telekonferencë me gazetarët.

Prej se ka nisur pandemia e koronavirusit Gates ka qenë subjekt i komploteve që, në mënyrë të rreme, e kanë lidhur atë me origjinën e koronavirusit.

Muajin e kaluar, televizioni shtetëror rus ka anuluar ritransmetimin e një programi që e akuzonte Gatesin për përpjekje për të futur mikroçipe në njerëz.

Gates ka paralajmëruar për rrezikun e pandemisë në të kaluarën dhe fondacioni i tij, së voni, ka ndarë 300 milionë dollarë për të luftuar koronavirusin dhe për të zhvilluar vaksinën.

Duke i përmendur këto lëvizje, disa grupe të krahut të djathtë, qysh në janar, kanë filluar të përhapin dezinformata në internet, se Gates qëndron prapa virusit dhe dëshiron të përfitojë nga ai.

“Është mirë të dihet se cilët fëmijë kanë marrë vaksinë kundër fruthit dhe cilët jo”, tha Gates, duke shtuar se sistemet e caktuara, të tilla si regjistrimet shëndetësore, duhet t’iu ndihmojnë punonjësve të kujdesit shëndetësor që të identifikojnë se kush është i imunizuar, porse “mikroçipet nuk janë të përfshira në asgjë”.

“Fondacioni ynë merr para për të blerë vaksina. Kjo është arsyeja përse e kemi parë rrezikun e një pandemie dhe kemi folur për të”, tha Gates./rel