Bill Gates dhe George Soros blejnë kompaninë që prodhon testet e koronavirusit

Miliarderët Bill Gates dhe George Soros janë pjesë e një konsorciumi që ka blerë kompaninë Mologic, e cila prodhon ndër të tjera edhe testet e koronavirusit.

Revista “Forbes” raporton se Fondi i Zhvillimit Ekonomik, në pronësi të Soros, dhe Fondacioni “Bill & Melinda Gates”, do ta bëjnë kompaninë britanike pjesë të një nisme të re, të quajtur “Akses në Shëndetësinë Globale”, për të ndihmuar në furnizimin e botës me testet në fjalë, që përdoren për të testuar edhe sëmundje të tjera, si ethet tropikale.

Testi i shpejtë i koronavirusit është përdorur gjerësisht në të gjithë botën, duke ndihmuar pikasjen e personave që, edhe pse nuk kanë simptoma, janë të infektuar me koronavirus dhe mund t’ia ngjisin të tjerëve.
Konsorciumi në fjalë ka investuar në këtë marrëveshje “të paktën” 41 milionë dollarë, sipas një deklarate zyrtare. “Gjatë pandemisë pamë që testimet ishin të domosdoshme për frenimin e përhapjes së sëmundjes, një çështje që na prek të gjithëve”, tha Roxana Bonnell, eksperte e shëndetit publik nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur Soros” në Britaninë e Madhe.