Bilanci i COVID-19 në Maqedoni: 6454 të infektuar, 3550 raste aktive, 306 viktima

Në Maqedoninë e Veriut numri i rasteve të reja me coronavirus vazhdon të jetë i lartë. Gjatë ditës së djeshme me COVID-19 janë konfirmuara 120 të reja nga 954 teste, nga të cilat mbi gjysma (64) janë nga Shkupi dhe 14 nga Tetova.

Katër pacientë të moshës 51, 56, 58 dhe 67 vdiqën. Ndërsa u regjistruan gjithashtu të shëruar, të cilët dje ishin tre më shumë sesa të infektuar të rinj, gjegjësisht 123.

Me rastet e reja, numri i përgjithshëm i pacientëve që nga fillimi i epidemisë në vend arriti në 6454 nga gjithsej 61.727 teste të kryera. Që nga viktima e parë në mars, 306 pacientë kanë vdekur. Janë 3.550 raste aktive, nga të cilat 2.049 janë në kryeqytet. Ka raste aktive treshifrore në Tetovë (394), Kumanovë (211), Shtip (160), Ohër (150) dhe Strugë (140).

Po rritet edhe numri i të infektuarve në komunën e Dibrës, e cila ishte vatra e parë e sëmundjes. Katër raste të reja janë konfirmuar në 24 orët e kaluara, duke sjellë numrin e përgjithshëm të personave të diagnostikuar me COVID-19 në 96. Nga këto, 45 janë nga vala e dytë e pandemisë, e cila u kthye pas 50 ditësh më 5 qershor. Është karakteristike që pacientët tani janë të rinj.

Ka një klaster të ri në Kumanovë, ku katër persona të infektuar të rinj janë regjistruar në buletinin e djeshëm. Që nga fillimi i epidemisë në këtë komunë, janë diagnostikuar 760 raste dhe 211 raste janë aktive.

Në Shtip, nga ana tjetër, që është komuna e katërt për sa i përket numrit të rasteve aktive (160), dje është diagnostikuar një punonjës burgu, por, sipas drejtorisë, nuk ka asnjë rrezik që coronavirusi të përhapet në mes të të dënuarve. Të infektuarit në Shtip janë nga klasteret e njohura të fabrikës dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Tetë xhami në Kërçovë do të mbyllen përkohësisht sepse 25 raste janë aktive, përfshirë imamin e një xhamie të qytetit. Myftiu i Kërçovës tha se ato do të mbyllen deri nesër kur do të falet namazi i Xhumasë, me respektim të rreptë të rekomandimeve shëndetësore.

Ndër komunat e Shkupit, Çairi është edhe më tej me më shumë raste aktive (454), i pasuar nga Gazi Baba me 185, Buteli – 173, Karposhi – 170, Aerodromi – 166, Saraji – 163, Qendra – 152, Kisella Voda – 119 dhe Gjorqe Petrovi – 118, ndërsa në rajonin e gjerë të Shkupit më shumë aktivë ka në Studeniçan (111).