Bilalli: pyetja e referendumit, e qëlluar. Stimuluese për të ardhmen evropiane


Pyetja “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë”, e propozuar nga kryeministri, Zoran Zaev, është pyetje më afirmative dhe stimuluese për gjithë qytetarët.
Ky është konstatimi i analistit politik dhe njëherit këshilltar i kryeministrit Zaev, Mersel Bilallit.
Ai thotë se pyetja e formuluar në kontekst të integrimeve euroatlantike në BE dhe në NATO garanton të ardhmen e sigurt evropiane të këtij vendi.
“Mendoj se nëse pyetja parashtrohet në drejtim a jeni për marrëveshjen me Greqinë duke u integruar në Unionin Evropian dhe NATO, mendoj se kjo është pyetja më afirmative dhe stimulative për votuesit. Në qoftë se u thoni qytetarëve a jeni për marrëveshjen me Greqinë me mundësi për t’u integruar, mendimi është se forma më afirmative që mund t’i stimulojë në masë më të madhe votuesit. Mendoj se në këtë formë referendumi do të jetë më i suksesshëm duke parë dy pjesë, pjesa e parë e cila e legjitimon marrëveshjen  lidhur me Greqinë dhe pjesa e dytë e cila u jep sinjal se në çfarë drejtimi duhet të ecim”,- deklaroi analisti politik, Mersel Bilalli.
Bilalli  madje vlerëson se kjo pyetje do të ndikojë dukshëm për të mobilizuar qytetarët masovisht të mbështesin referendumin, ndërsa në këtë drejtim po ashtu rol të rëndësishëm do të luajë edhe faktori ndërkombëtar.
“Këtu është edhe faktori ndërkombëtar dhe mendoj se duhet luajtur mirë me ta, i cili mund dukshëm të ndikojë në mobilizimin e masës për referendum përmes mesazheve dhe përmes pjesëmarrjeve të drejtpërdrejta. Mendoj se do të ketë strukturë mirë të organizuar edhe të brendshme edhe ndërkombëtare, të cilët do ta mobilizojnë masën që referendumi të jetë pozitiv dhe i suksesshëm”,- tha Bilalli.
Referendumi për çështjen e emrit pritet të realizohet në vjeshtë, ndërsa i njëjti organizohet për t’i dhënë mbështetje qeverisë për të ndryshuar emrin kushtetues të vendit, të nënshkruar në marrëveshjen mes qeverisë së Maqedonisë dhe Greqisë e që janë kyçe për rrugën euroatlantike të vendit.