Bilall Kasami: Tetova, në gjendje më të vështirë se Kosova pas çlirimit – Teuta Arifi e la komunën në gjendje të mjerueshme (VIDEO)

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, thotë se komunën e ka gjetur në një gjendje të rëndë, të cilën nuk kishte mundur as ta paramendojë. Dy muaj pas marrjes së mandatit, Kasami në një intervistë për gazetën LAJM, ka thënë se as Kosova pas çlirimit nuk ka qenë në gjendje kaq të vështirë sa Tetova. Megjithatë, ai është optimist se do të arrijë ta realizojë planin e tij ambicioz për ta shndërruar Tetovën, siç thotë, në një qytet evropian.

“Nuk mund të them se punët shkojnë sipas dinamikës së paraparë sepse jemi ballfaquar me një situatë të cilën nuk e kemi paramenduar se mund ta gjejmë komunën e Tetovës. Unë e kam përmendur këtë edhe në disa raste, në biseda joformale, por për herë të parë do e them për shikuesit dhe lexuesit e LAJM-it se kam krijuar një bindje se Kosova pas çlirimit nuk ka qenë në gjendje kaq të vështirë sa Tetova pas çlirimit nga kryetarja paraprake e cila e ka sjell Tetovën në një gjendje të mjerueshme. Sidoqoftë, unë kam besim të plotë që Tetova ka potencial të madh dhe se shumë shpejtë gjërat do vendosen në vendin e vet dhe se shumë shpejtë do të nisim realizimin e atij plani ambicioz që Tetovën ta bëjmë një qytet evropian”, tha Kasami.

Në këtë intervistë, Kasami flet për problemin me ujin e pijshëm në Tetovë, projektin për parkingjet, transportin urban, buxhetin e bllokuar të komunës si dhe përpjekjet për të pezulluar Planin Detal Urbanistik, në bllokun 57 A të fabrikës “Shik Jellak” në Tetovë.
Intervistën e plotë të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, dhënë për gazetën LAJM mund ta ndiqni në videon më poshtë.