Bilall Kasami pritet nga mërgimtarët në Kopenhagë

Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, para mërgimtarëvë në Kopenhagë, ka thënë se Komuna që ai drejton, gjithmonë do të mbetet e hapur ndaj përvojave të mergimtarëve, të cilët me dashamirësi gjithmonë kanë ofruar ndihmën e tyre për zhvillimin e vendlindjes, për zhvillimin e Tetovës. Ai ka shprehur falenderim vëllazëror për mikpritjen madhështore në Kopenhagë. Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami:

Mërgata jonë është pjesa më vitale që për arsye tashmë të njohura, të mungesës së perspektivës në vendlindje u detyruan ta braktisin atë dhe të kërkojnë mbijetesën në vendet europiane. Lidhjet me mërgatën tonë janë shpirtërore, sepse ajo është pjesë e pandashme e jona. Në një frymë vèllazërore sonte patëm takim në Kopenhagë të Danimarkës, ku tashmë gjenerata e dytë dhe e tretë janë etabluar në jetën institucionale të këtushme.

Përpara njerëzve tanë që masovikisht ishin të pranishëm në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore theksova nevojën e bashkëpunimit dhe të bartjes së përvojës nga institucionet lokale dhe qendrore të shtetit me traditë organizimi, të Danimarkës, por në veçanti për bartjen e përvojës dhe ekspertizës të të rinjve tanë qê jetojnë ketu në drejtim të zhvillimit të Tetovës.

Komuna e Tetovës gjithmonë do të mbetet e hapur ndaj përvojave të mergimtarëve, të cilët me dashamirësi gjithmonë kanë ofruar ndihmën e tyre për zhvillimin e vendlindjes, për zhvillimin e Tetovës. Kjo përvojë dhe ky komunikim me mërgatën tonë na mundëson që të krijojmë kushte më të mira për ta parandaluar ekzodin të stimuluar nga të tjerët.

Theksova se bashkërisht mund t’i japim një shpresë për ndryshim të gjithanshëm në Tetovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke bartur përvojat institucionale të këtushme në mënyrë që ta ndalim ikjen e të rinjve. Një falenderim vëllazëror për mikpritjen madhështore në Kopenhagë dhe për ngrohtësinë dhe shpresën që na falët!