Bilall Kasami: Brenda dhjetë ditëve do të shpallet tenderi për stadiumin e Tetovës

Kryetari i Tetovës Bilall Kasami edhe sot premtoi se brenda 10 ditësh do të shpallet tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit.

Unë besoj se jo më shumë se 10 ditë do të behët shpallja, pra për momentin para masën e kemi, projektin ideor e kemi. Dhe njëherë e them brenda 10 ditësh do behët shpallja e tenderit”, tha Kasami.

Por Kasami disa herë ka dhënë premtime të ngjashme, duke dhënë afate të cilat tashmë janë shkelur.

Tifo-grupi i Shkëndijës “Ballistët” kanë reaguar në rrjetet sociale, duke ironizuar me premtimet e autoriteteve për stadiumin. Ata thonë se sot festojnë 7 vjetorin e premtimit për stadiumin.

Sot po festojmë 7 vjetorin e premtimit të stadiumit europian në Tetovë! Si duket do të festojmë edhe 7 vite të tjera!”, kanë shkruar “Ballistët”.

Ndryshe stadiumi i Shkëndisë është në gjendje të mjerueshme dhe nuk plotëson asnjë kriter të UEFA-së. Skuadra që është simbol i qytetit me një tifozëri të flaktë, ndeshjen europiane detyrohet t’i zhvillojë në Shkup.