BIK-u vendos për falje të Kurban Bajramit nëpër xhami, me kufizime


Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka njoftuar se falja e Kurban Bajramit të premten do të bëhet në xhami por me kufizime duke marrë parasysh pandeminë COVID-19.
Sipas BIK-ut, xhemati do të jetë në xhami 10 minuta para faljes së Kurban Bajramit që do të bëhet në ora 06:03 të mëngjesit. Ligjërata nuk do të zgjasë më tepër se dhjetë minuta ndërsa ligjëratat e ditës së xhuma nuk do të zgjasin më tepër se pesë minuta. Është thënë se personat zyrtarë të BIK-ut dhe xhemati do t’u përmbahen me përpikmëri rekomandimeve për mbrojtje ndaj përhapjes së virusit si dezinfektimi i duarve mbajtja e maskave dhe distanca fizike.

Numri i besimtarëve prezentë në xhami do të jetë 50 persona apo edhe më pak,varësisht nga hapësira e xhamisë. Nuk do të lejohen personat mbi moshën 65-vjeçare dhe ata më të ri se 16-vjeç, si dhe personat me sëmundje kronike ata që kanë simptoma të virusit apo çdokush që dy*shon se mund të infektohet nga prezenca në xhami.
Po ashtu është thënë se nuk do të lejohet shfrytëzimi i tualeteve abdeshaneve dhe banjove të përbashkëta në oborret e xhamive. Nuk duhet të ketë përshëndetje me duar. Po ashtu nuk do të lejohet grumbullimi i turmave. E po ashtu nuk do të ketë pritje për nder të Bajramit në selinë e BIK-ut, e as në selitë e këshillave lokalë.
“Për hir të ruajtjes së shëndetit, që në këtë rast është parësor, të mos ketë vizita te njëri-tjetri ditëve të Kurban Bajramit”, është thënë nga BIK-u.