Big Brother rekord fitimesh: 100 euro sekondi i reklamave, mbi 3 mijë euro vetëm një spot që transmetohet vetëm një herë

Shtëpia më e famshme e të gjithë shqiptarëve hapi dyert e saj mbrëmjen e kaluar me një rekord absolut shikueshmërie, duke gozhduar përpara ekranit të Top Channel qindra mijëra persona. Big Brother VIP, si kurrë më parë, erdhi në ekranet e qytetarëve, brenda dhe jashtë vendit, me një format special dhe një shtëpi krejtësisht të re, duke dhuruar spektakël që në minutat e para.

Audienca absolute, natyrshëm, rriti në mënyrë të paprecedentë edhe interesin e kompanive të ndryshme, për të reklamuar produktet e tyre, përgjatë hapësirave publicitare. Burime për Gazetën SHQIP bëjnë me dije se vetëm në natën e parë, janë mbledhur 100 mijë euro, një shifër e panjohur kjo për televizionet e tjera.

Burimet konfirmojnë se në transmetimin “Prime Time”, pagesa për reklama ka shënuar një tjetër rekord, plot 100 euro/sekondi. E thënë më thjeshtë, vetëm një spot 30 sekonda, i cili transmetohet vetëm 1 herë, kushton 3 mijë euro. Duke parë interesin e jashtëzakonshëm të qindra mijërave shqiptarëve për programin më unik që transmetohet në Shqipëri e më gjërë, me dhjetëra sponsor kanë shprehur dhe po vazhdojnë të shprehin interes që të futen në Big Brother VIP.

Gjithsesi, vetëm një pjesë e tyre arrijnë të përzgjidhen, për shkak se koha publicitare është e limituar. Ashtu si edhe sezonet e tjera, Big Brother VIP do të jetë formati argëtues më interaktiv i ekranit.