Vlerësimet e Bankës Popullore të bazuara në metodologjinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, tregojnë se mërgimtarët që nga viti 2009 e këndej po dërgojnë mbi një miliardë euro në vendlindje.
Mirëpo, vitin e kaluar – si rrjedhojë e pandemisë, janë zvogëluar remitancat në Maqedoninë e Veriut, për një të katërtën në raport me vitet paraprake. Banka Qendrore thotë që 2020 përmbyllet me një rënie prej 260 milionë euro.
Përkundër rënies prej 26 për qind të transfereve private – në një periudhë afatmesme pritet stabilizimi i tyre në bazë të përmirësimit të kushteve në nivel global dhe kthimit graduale në nivelet e mëparshme thonë nga Banka Popullore.
“Në vitin 2020 kishte rënie tek transferet private si shkak i ambientit jo të volitshëm dhe gjendjes jo stabile në tregjet ndërkombëtare ku jetojnë pjesa më e madhe e mërgimtarëve tanë që dërgojnë remitancat”, thotë guvernatorja e Bankës Popullore të Maqedonisë, Anita Angellovska Bezhovska.
Sipas saj, vitin e kaluar është vërejtur rënie e transfereve private përmes rrugëve jozyrtare dhe atë kryesisht të keshit, por është vërejtur edhe rritje e transfertave përmes kanaleve financiare. Të dhënat tregojnë se është përgjysmuar dërgesa e parave me para të gatshme në dorë që përbëjnë dy të tretat e transfereve të përgjithshme private.
Nga ana tjetër, po shënohet rritje e dërgesave të të hollave përmes bankave dhe transfereve të shpejta të parave. Nëse në vit, përmes këtyre dy mënyrave zyrtare janë dërguar të holla në vlerë prej afër 180 milionë euro në 11 vitet e fundit, vetëm në periudhën janar-shtator 2020 janë dërguar mbi 210 milionë euro si rrjedhojë e uljes së vajtje ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje, që në vend se personalisht të sjellin para për familjarët e tyre, kanë dërguar të holla përmes bankave dhe kompanive të tjera private.
Në ndërkohë, nga Banka Popullore thonë se po punohet në modernizimin e legjislacionit vendor lidhur me shërbimet pagesore që do të harmonizohen me direktivat evropiane. Ato do të mundësojnë të ofrohen forma më bashkëkohore të realizimit të transaksioneve pagesore.
Ligji i ri për sistemet pagesore dhe shërbimet pagesore do të liberalizojë tregun e shërbimeve pagesore dhe do të mundësojë hyrjen në treg edhe të institucioneve që nuk janë banka si institucione pagesore dhe institucione për të hollat elektronike. Pritet të rriten në të ardhmen mënyrat elektronike të transfertës së mjeteve financiare në formën e aplikacioneve pagesore që do ti ofrojnë institucionet pagesore që do të kenë mundësi të lidhjes së llogarisë në banka të dërguesve dhe pranuesve të të hollave edhe në rast se gjenden në kontinente të ndryshme. Një praktikë e tillë po zbatohet në shtetet më të zhvilluar në botë.
Pritet gjithashtu që shërbimet e dërgimit të hollave të jenë më lehtë të disponueshme dhe me kosto më të vogël. Liberalizimi i tregut do të mundësojë edhe rritjen e konkurrencës, që do të stimulojë bankat dhe institucionet e tjera financiare të marrin pjesë në mënyrë më aktive në inovacionet teknologjike në sektorin e financave. Me Ligjin për shërbime pagesore parashikohet edhe vendosja e kartelës pagesore me funksionet themelore. Ajo për kategoritë e prekshme do të jetë falas për shërbimet hapjes, mbajtjes së llogarisë, si dhe do mundësojë kryerjen e numrit të caktuar të transaksioneve të vendosjes dhe tërheqjes së të hollave, ndërsa për konsumatorët e tjerë do të ketë kosto të arsyeshme.
Për hapjen e kësaj llogarie, qytetarët nuk do të kenë nevojë të posedojnë llogari tjetër me funksionet themelore në emër të tyre. Gjithashtu, konsumatorët në këtë llogari nuk do mund të hyjnë në minus.