Bie dukshëm nataliteti në komunat shqiptare (FOTO)

Pavarësisht numrit në rritje të lindjeve Maqedonia gjatë tre muajve të fundit të vitit 2021 pësoi një ulje me 2171 banorë më pak. Rritja negative natyrore e popullsisë vazhdon, edhe pse gati dyfish më e ulët sesa në të njëjtën periudhë të fundvitit 2020, kur shtimi natyror i popullsisë, negativ, arriti kulminacionin me minus 4985 banorë.

Ajo që bie në sy për komunat shqiptare, është ritmi gjithnjë e në ulje i popullsisë, raporti i lindjeve dhe vdekjeve anon nga kjo e fundit. Për shembull, Tetova, ku lindjet e regjistruara janë më të ulta sesa ato të një viti më parë (253 lindje – 264 vdekje), ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë u regjistruan 316 fëmijë të lindur.

Fenomeni po përhapet edhe në ato komuna që vazhdimisht kanë pasur shifra të larta të lindjeve dhe martesave dhe mesataren më të re të popullsisë. Për shembull, Studeniçani edhe pse vazhdon me ritmet pozitive të shtimit të popullsisë ka pësuar reduktim të numrit të lindjeve, njësoj si edhe Haraçina. Ngjashëm pasqyrohen shifrat edhe në komuna si Çairi, Saraji, Struga, të cilat edhe pse nuk shkojnë drejt zvogëlimit të numrit të banorëve prapëseprapë regjistrojnë numra në zbritje të lindjeve.

“Në tremujorin e katërt të vitit të kaluar në vend janë regjistruar 5015 lindje, që është një rritje prej 12,4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Numri i vdekjeve është 7.186, një rënie prej 23,9 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020. Shtimi natyrore është minus 2 171, pra për kaq njerëz numri i lindjeve të gjalla është më i ulët se numri i të vdekurve”, thuhet në publikimin e Entit Shtetëror të Statistikave. Sa i takon martesave, numri është ulur për 3.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, ndërsa divorcet janë ulur me 5,3 për qind.

Në total në vetëm 16 komuna popullsia nuk pakësohet ose ndryshon, por shtohet me 1 e deri në 79 banorë, si Studeniçani, apo Saraji (73). Shifrat më të larta negative janë regjistruar në komuna si, Manastiri – minus 176, Kisella Voda – minus 154, Prilepi me shtim natyror – minus 142, Gazi Baba – minus. Sa i takon komunave shqiptare, Kërçova shënon minusin më të madh, minus 54, Gostivari – minus 14 Tetova – minus 11. Ndërsa komuna si Struga, Dibra po i afrohen kufirit të kuq, përkatësisht me një rritje të popullsisë me vetëm 15 banorë. (koha.mk)