Bie autobusi me turistë në Turqi! 5 të vdekur e 26 të plagosur

Përmbysja e një autobusi në një udhëtim turistik në Konya të Turqisë i ka kushtuar jetën pesë personave.

Mediet turke thonë se të paktën 26 të tjerë kanë mbetur të plagosur në episodin tragjik. Mjeti rezulton të jetë përmbysur në kilometrin e 50-të të autostradës Konya-Aksaray. Me të mbërritur njoftimi, drejt vendngjarjes u nisën me urgjence ekipe policore dhe autoambulanca.
Të plagosurit raportohet se janë dërguar në spital me autoambulanca, raporton shtypi vendas. Një hetim ka nisur menjëherë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, por dyshimet fillestare janë se autobusi ka rrëshqitur për shkak të akullit në rrugë.

Një aksident tragjik po me 5 të vdekur u shënua në Konya në 2012-tën, për shkak siç u tha atëherë, të mjegullës në rrugë. Pesë vjet më vonë, në vitin 2017-të, katër vetë vdiqën në autostradën Ankara-Konya pasi shoferi i autobusit me të cilin udhëtonin humbi kontrollin e mjetit e doli nga rruga.