Biden pret Merkelin në Shtëpinë e Bardhë më 15 korrik


Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan Joe Biden do të mirëpresë kancelaren gjermane Angela Merkel më 15 korrik, me qëllim të “thellimit të lidhjeve bilaterale”.
Zëdhënësja e Bidenit, Jen Psaki ka bërë të ditur takimin, teksa të dy liderët veçse janë takuar më 11 qershor, në samitin e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7).
Pyetjet rreth bashkëpunimit transatlantik në çështjet e lidhura me Rusinë, Iranin dhe Kinën janë pjesë e agjendës së samitit në G7, përveç aspekteve tjera.

Pjesëmarrja gjermane në kompletimin e gazsjellësit Rrjedha Veriore 2, në vlerë të 11 miliardë dollarëve, i cili transporton gazin rus në Evropë, ka komplikuar marrëdhëniet në mes të dy aleatëve të NATO-s, dhe ka penguar përpjekjet për të përmirësuar lidhjet, prej kur Biden mori detyrën në janar të këtij viti.

Psaki ka thënë se në muajin korrik, Merkel dhe Biden ‘do të diskutojnë për përkushtimin e tyre për bashkëpunim më të ngushtë në një varg sfidash, përfshirë dhënien fund të pandemisë, adresimin e kërcënimit për ndryshimet klimatike dhe promovimin e prosperitetit ekonomik dhe sigurisë ndërkombëtare të bazuar në vlerat tona të përbashkëta demokratike”.

Merkel, kancelare, që ka udhëhequr për kohë të gjatë Gjermaninë, do të jetë liderja e tretë që do të pritet nga Biden, prej kur ky i fundit është zgjedhur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
Biden ka pritur deri më tani liderë nga Japonia dhe Koreja Jugore, duke e bërë Merkelin lideren e parë evropiane që viziton Bidenin në Shtëpinë e Bardhë.