Biden: Nuk e kemi qëllim të luftojmë me Rusinë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në konferencë për media ka njoftuar për sanksionet e reja që ka marrë SHBA-ja ndaj Rusisë, pas ngjarjeve të së hënës.

Rusia të hënën vendosi të njohë pavarësinë e dy rajoneve separatiste të Ukrainës, të Donetzkut dhe Luhanskut.

Biden ka thënë se kush mendon që Putin është për të njohur shtete në territore të fqinjit të tij.

Ai ka thënë se ky është fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Është një shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Biden.

Ai ka njoftuar se SHBA-ja ka vendosur të sanksionojë plotësisht dy institucione financiare ruse VEB dhe bankën ushtarake. Po ashtu ka vendosur të implemtojë sanksione gjithpërfshirëse ndaj borxhit sovran rus.

“Kjo nënkupton se po këpusim Qeverinë e Rusisë nga financat e Perëndimit”, ka thënë Biden.

Po ashtu janë vendosur sanksione ndaj elitës ruse dhe familjarëve të tyre.

Ndërkohë ka thënë se ka punuar me Gjermaninë për të siguruar se gazjellësi Nord Stream 2 nuk do të shkojë para.

Ai ka shtuar se sanksione tjera priten nëse vazhdon Rusia të eksalojë situatën.

Biden ka shtuar se ka autorizuar lëvizje shtesë të forcave amerikane drejt aleatëve në lindje të Evropës, më saktësisht drejt shteteve baltike si Estonia, Letonia e Lituania.

Ai ka thënë se këto lëvizje janë mbrojtëse dhe nuk e ka plan të luftojë me Rusinë.

“Të jem i qartë, këto janë lëvizje defensive nga ana jonë. Nuk e kemi qëllim të luftojmë me Rusinë”, ka thënë Biden.

Ai ka thënë se qëllimi është të dërgojë mesazh te aleatët e SHBA-së se do të mbrojë territorin e NATO-s.

Biden ka thënë se ka qenë vazhdimisht në kontakt me liderët evropianë, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Ne jemi të bashkuar në përkrahje ndaj Ukrainës. Jemi të bashkuar në kundërshtimin e agresionit rus. Jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mbrojtur aleancën tonë të NATO-s”, ka thënë Biden.

Biden ka thënë se Putini ka sulmuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar.