Biden kalon në epërsi edhe në Xhorxhia

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka dalë në epërsi me vota kundrejt presidentit, Donald Trump në shtetin kyç të Xhorxhias, një gjë që mund të ndryshojë garën për Shtëpinë e Bardhë. Ky lajm vjen vetëm pak orë pasi presidenti Trump bëri akuza, për të cilat nuk dha dëshmi, ndaj procesit zgjedhor në SHBA.

Me rezultatet e fundit, Biden është 917 vota para Trumpit në Xhorxhia, kanë raportuar disa media. Pa 16 votat elektorale të Xhorxhias, Trump nuk mund të arrijë shifrën prej 270 votash, që duhen që të shpallet fituesi i zgjedhjeve presidenciale.

Nëse Biden fiton në Xhorxhia, atëherë ai do të bëhej kandidati i parë demokrat, që prej se Bill Clinton fitoi në këtë shtet dhe u zgjodh president i SHBA-së më 1992. Xhorxhia është në mesin e katër shteteve kyçe ku nuk janë parashikuar fituesit. Biden po ashtu ka një epërsi të ngushtë në Nevada dhe Arizona, ndërkaq Trump vazhdon të jetë në epërsi në Pensilvani.

Diferenca e ngushtë në vota shpërfaq edhe ndarjen e thellë politike në SHBA. Në SHBA po vazhdon numërimi i më shumë se 100 milionë votave të dërguara me postë. Fushata e Trumpit ka nisur një stuhi të veprimtarisë ligjore duke sfiduar procesin e numërimit, ndërsa hedh dyshime mbi rezultatet e zgjedhjeve. Presidenti Trump gjatë fushatës së gjatë dhe të egër sulmoi vazhdimisht integritetin e sistemit të votimit të vendit.

Trump dëshiron që asnjë fletëvotim i pranuar pas ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor të mos numërohet. Ekzistojnë vendime gjyqësore që lejojnë numërimin e atyre votave në shtetet ku lejon legjislacioni vendor. Sipas rezultateve të fundit për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, Biden ka 253 të votave të Kolegjit Elektoral, ndërkaq Trump ka 214. Për t’u zgjedhur president, një kandidati i duhen së paku 270 vota elektorale./REL