BFI: Të ketë dalje masive në votime, mos bini pre e thirrjeve për bojkot në afishet pa autorë në Çair

Një natë para rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëpër rrugët dhe kutitë postare të banorëve të Komunës së Çairit të qytetit të Shkupit, u shpërndanë afishe me përmbajtje religjioze pa autor, të cilat për qëllim kishin bojkotin e zgjedhjeve. Transparent me mbishkrim të ngjashëm u shfaq edhe gjatë muajit të Ramazanit në po të njëjtën komunë. Bashkësia Fetare Islame dhe Myftinija e Shkupit i demantojnë qëndrimet kundër votimit, si dhe bëjnë thirrje që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, transmeton Portalb.mk.

Afishet e shpërndara gjithandej rrugëve të Çairit dhe banesat e qytetarëve në vigjilje të zgjedhje presidenciale e atyre parlamentare në RMV, janë në gjuhën shqipe, me gabime drejtshkrimore, kanë përmbajtje fetare edhe atë shkëputje nga vargjet e librit të shenjtë të myslimanëve Kur’anit, dhe të njëjtat bëjnë thirrje për bojkot të zgjedhjeve.

“Mos voto, veprat tua mos i asgjëso ! “E kush nuk gjykon me atë që zbriti Allahu ata janë mohues. (Maide : 44), Pasha Allahun ty të është shpallur edhe atyre para teje “Nëse i bën shok Allahut, veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jeshë prej atyre të humburve” (Zumer : 65), Ata që ju I adhuroni në vend të Allahut, janë vetëm emra, të cilët I keni vënë ju duhet të parët tuaj, pa pasur prej tij asnjë argument. Gjykimi i takon vetëm Allahut ai ka urdhëruar që të adhuroni vetëm Atë. Kjo nuk është e vetmja fe e vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dijnë. ” (Jusuf : 40) ”, thuhet në njërën nga afishet.

Një transparent me përmbajte të ngjashme u vendos mbi urën e hekurt në Komunën e Çairit, pranë shkollës fillore “Liria”, me mbishkrimin “Mos voto – ke frikë ALLAHUN”, nën transparentin tjetër të vendosur nga Myftinia e Shkupit me mbishkrimin “Urime muaji i bekuar i Ramazanit”, vërehet në fotografitë e shpërndara në rrjetet sociale.