BFI me ap*el për besimtarët musliman

Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka bërë thirrje publike dhe ap*el deri tek të gjithë qytetarët e vendit, që edhe më tej të vazhdojnë të respektojnë masat kundër Covid, me qëllim mbrojtjen e shëndetit.
Sipas BFI-së, ruajtja e shëndetit është një nga detyrat parësore të fesë islame, prandaj BFI bën thirrje të kemi kujdes në betejën kundër virusit Covid.

Siç thonë nga BFI, besimtarët muslimanë në RMV kanë respektuar në vazhdimësi vendimet e shtetit, edhe pse gjendja me pandeminë po përkeqësohet.
Ata bëjnë ap*el që të vazhdojnë t’u përmbahen në maksimum rekomandimeve, udhëzimeve dhe masave anti-covid që dalin nga institucionet përgjegjëse shtetërore, me qëllim mbrojtjen e vetes, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.

“APEL PUBLIK
Deri te të gjithë besimtarët muslimanë dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut
Të nderuar besimtarë muslimanë, qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut! Ruajtja e jetës dhe shëndetit të njeriut është nga detyrat dhe domosdoshmëritë parësore të fesë islame.
Mbrojtja e njeriut është nga qëllimet madhore të ligjit islam dhe të vetë All-llahut f.p., prandaj, mbështetur në këtë parim, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut u drejtohet të gjithë besimtarëve dhe qytetarëve me këtë thirrje për vazhdimësi të kujdesit dhe përkushtimit në betejën kundër virusit famëkeq COVID-19.

Muslimanët e vendit tonë kanë treguar seriozitet dhe përkushtim të pamohueshëm në parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe kanë respektuar si vendimet e Shtetit, edhe ato të Bashkësisë Fetare Islame, por marrë parasysh se kohëve të fundit po përkeqësohet gjendja me pandeminë në Maqedoninë e Veriut dhe evidentohet rritje e theksueshme e numrit të të infektuarve e viktimave, apelojmë deri te të gjithë besimtarët muslimanë dhe qytetarët e vendit tonë që të vazhdojnë t’u përmbahen në maksimum rekomandimeve, udhëzimeve dhe masave anti-covid që dalin nga institucionet përgjegjëse shtetërore, me qëllim mbrojtjen e vetes, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.

Duke mos harruar se të gjithë ne, pa përjashtim, mbajmë përgjegjësi para shoqërisë dhe mbi të gjitha para Zotit, doemos duhet të ndjekim porosinë e Tij në Kur’anin Famëlartë: “dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira;
Allahu me të vërtetë i do bamirësit” Edhe një herë, shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë të sinqertë për përkushtimin dhe vetëmohimin e të gjithë stafit e personelit mjekësor të cilët, që nga fillimi i kësaj pandemie, kanë qenë në krye të detyrës. All-llahu i shpërbleftë e na mbrojë të gjithëve!”, thuhet në ape*lin e dërguar nga Bashkësia Fetare Islame.

Ndryshe, kr*iza nga covid pritet t’i godet përsëri besimtarët musliman në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, duke patur parasysh paralajmërimet se mund të futemi përsëri në karantinë gjatë Ramazanit.
Arsyeja për këtë është parandalimi i mbledhimeve familjare në iftare.