Beteja në njësinë e 6-të zgjedhore, kush janë pjesëmarrësit

12 marsi është afati i fundit kur partitë duhet t’i dorëzojnë lista e deputetëve në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Partitë ngurrojnë të tregojnë emrat që do të jenë bartës në listash në 6 zonat zgjedhore. TV21 jozyratrish nga burime të tij ka mësuar për përbërjen e listave të përbashkëta të LSDM-së dhe Lëvizjes Besa që tashmë kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

Në njësinë zgjedhore numër 1, nga radhët e socialdemokratëve përflitet emri i ministrit Nikolla Dimitrovit e nga Besa në të njëjtin listë pritet të jetë nënkryetari i partisë Kastriot Rexhepi.

Në njësinë 2, bartës kryeministri aktual Oliver Spasovski ndërsa nga Besa pritet të jetë Abdush Demiri. Në zonën 3 dhe 4 me shumë gjasa “Besa” nuk do të ketë kandidat për deputet, ndërsa nga LSDM bartës tek njësia 3 përflitet emri i sekretarit gjeneral Lupço Nikollovski, kurse tek 4-ta kryetari i partisë Zoran Zaev. Milla Carovska ka shanse të prijë listën e njësisë 5, ndërsa në të njëjtën listë nga “Besa” mund të jetë sekretari gjeneral Arjanit Hoxha. Njësia e 6 është e vetmja ku bartës liste është Besa, gjegjësisht kryetari i saj Billall Kasami e këtu pritet të garojnë edhe deputetët Fadil Zendeli e Teuta Bilalli.

Burimet e TV21 nuk tregojnë se në çfarë pozita do të jenë kandidatët e Besës në këto lista të përbashkëta, megjithatë pohojnë se “do të jenë në vende fituese”. Kryetari i Besës ndërkaq pohon se arritja e 61 deputetëve përmes këtij koalicioni të tij me Zaevin nuk është diçka e paarritshme. “Ne sigurisht se jemi të sigurt që ky koalicion do të jetë fitues dhe për herë të par do të arrijë të sigurojë 61 mandate që është numër i mjaftueshëm për të bërë edhe qeverinë e ardhshme”, theksoi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA. Kreu i DPMNE-së Hristijan Micskoski po ashtu është i bindur në fitoren e partisë se tij dhe koalicionit, me të cilët thotë se po bëhen konsultimet e fundit për lista. “Sipas asaj që jemi marrë vesh të martën do të kemi mbledhje të Komitetit Qendror ku do të miratohen listat e deputetëve dhe përbërja e koalicionit me të cilën VMRO-DPMNE do të dalë në zgjedhje ndërsa të mërkurën do te kemi ngjarje ku do të prezantohen të njëjtat”, deklaroi Mickoski. I pyetur nëse Micskoski do të jetë në ndonjë prej listave, ai u tha gazetarëve të presin deri të martën. Këtë gjë për veten e tij nuk e tregon as kreu i PDSH-së Menduh Thaçi, i cili sot as nuk deshi të japë deklarata politike.

Aleanca për Shqiptarët lista do t’i publikojë një ditë para se t’i dorëzojë në KSHZ. “Ne kuvendin qendror e kemi më 11 mars dhe më 11 mars do t’i dini emrat e saktë të të gjithë kandidatëve tonë nëpër lista. Një është e sigurt se në njësinë nr.6 z.Ziadin Sela do ta fitojë z.Ali Ahmetin”, theksoi Arben Taravari, sekretar gjeneral i ASH-së. Po të mbledhësh gjitha deklaratat, gjithë kryetarët e partive shqiptare pritet të jenë bartës liste në njësinë 6, pra Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Bilall Kasami e Menduh Thaçi./TV21