Besnik Berisha dyshohet se mori 11 mijë euro nga klienti që s’mund ta mbronte ligjërisht

Prokuroria Themelore në Ferizaj, të premten, ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të pandehurve tjerë: Nexhat Xhafa, Ismet Salihu, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refki Cakolli dhe Adonis Salihu. Ata dyshohen për “ushtrim ndikimi”, “pengim i procedurës penale” dhe “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.

Në dosjen e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” të gjithë të dyshuarit në seancën dëgjimore kanë kundërshtuar masën e propozuar, me përjashtim të avokatit Besnik Berisha, i cili ishte shtrirë në spital shkaku i problemeve shëndetësore.

Më poshtë keni detaje nga dosja se për çka dyshohen shtatë të pandehurit dhe pretendimet e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, e cila kishte marrë aksion të enjten duke i arrestuar të dyshuarit derisa të premten ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tyre.

Në seancë dëgjimore, prokurori Rasim Maloku, tha se mbetet pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit se të pandehurit kanë kryer veprat penale të cilat janë theksuar në kërkesë.

Ai kishte thënë se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale dhe se kjo do të vërtetohet nga provat e siguruara deri në këtë fazë të procedurës.

Në këtë seancë, mbrojtësja e Adonis Salihut, avokatja e caktuar sipas detyrës zyrtare Hysnije Gashi ka kërkuar masë më të butë se paraburgimi ndaj klientit të saj. E ka arsyetuar kërkesën e saj me faktin se Salihu kujdeset për nënën dhe vëllain e tij 2-vjeçar.

Edhe i dyshuari Refik Canolli, përmes mbrojtësit Florim Shefqeti ka kundërshtuar propozimin për caktimin e masës së paraburgimit, duke kërkuar një masë më të butë në këtë fazë të procedurës penale.

Edhe mbrojtësi i Fadan Zubakut, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare Nusret Islami, ka kërkuar një masë më të butë për klientin e tij. Ka kërkuar masë alternative për Zubakun në mënyrë që të sigurohet prezenca në procedurën e mëvonshme penale.

Mbrojta e të dyshuarit Jeton Vuniqi, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi ka kërkuar t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak për klientin e saj. Avokatja ka arsyetuar se Vuniqi jeton me prindërit e tij dhe mund të ofrojë edhe dorëzani për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak.

Edhe mbrojtësi i të dyshuarit Ismet Salihu, avokati Fitim Shabani ka kërkuar për klientin e tij t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak. Në arsyetimin e tij, avokati Shabani ka thënë se klienti i tij ka probleme shëndetësore prandaj po kërkojnë masë më të butë se sa atë të paraburgimit.

Edhe ndaj të dyshuarit Nexhat Xhafa është kërkuar masa e arrestit shtëpiak. Avokati i Xhafës, Skender Musa ka thënë se klienti i tij është familjar dhe i propozon gjykatës që të vendosë masë më të butë se sa paraburgimi.

Dyshimet e Prokurorisë se Besnik Berisha pranoi 11 mijë euro nga klienti që s’mund ta mbronte

Avokati Besnik Berisha po dyshohet se ka marrë 11 mijë euro për të organizuar mbrojtjen e të dyshuarve për fajde dhe ikje nga tatimi, Gëzim dhe Salih Sinanit të cilët ishin në paraburgim.

Sipas shkresave të Prokurorisë, avokati Berisha e kishte ditur se nuk mund të jetë mbrojtës i Gëzim e Salih Sinanit pasi ishte duke mbrojtur një klient tjetër në rastin “Brezovica”. Pavarësisht këtij fakti, sipas Prokurorisë, Berisha iu kishte kërkuar Gëzim dhe Salih Sinanit 20 mijë euro për t’i mbrojtur vetëm në fazën fillestare të hetimit.

Sipas prokurorisë, Berisha në vazhdimësi kishte penguar të pandehurit që të deklaroheshin në Prokurori, duke i paralajmëruar se do të dënoheshin me 5 deri në 6 vite burgim.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Berisha kishte kërkuar prej të pandehurve të mos deklaroheshin për të pandehurin Shefik Rexhepin, i cili dyshohet për fajde në bashkëveprim me Gëzim Sinanin.