Besimtari shokon Blendi Fevziun: Nuk mbaj maskë, virusin e hodhi Zoti, të dalim në shesh!

Pasi Fevziu, doli dje në Sheshin Skënderbej dhe sensibilizoi gjerësisht mbarë popullin shqiptar, në ikje e sipër, u ndal në mes të sheshit, nga një besimtar mysliman, i cili i kërkoi me insistim të intervistohej.
Pyetja e parë e Fevziut, sipas rregullave që ka caktuar drejtori i shtetrrethimit, Edi Rama, ishte:

– Përse rri pa maskë?
– Unë rri pa maskë, se për herë të parë, njëherë këtë sëmundje e hudhi Allahu…. Nuk duhet të kesh frikë një sëmundje kur e hudh Zoti, – u përgjigj menjëherë besimtari.
Këtu Fevziu u trash pak, rriti distancën sipas këshillës mjekësore, për këtë lloj koronavirusi dhe vijoi:
– Merr masat që mos të të zërë sëmundja!

Këtu besimtari u përqëndrua fort dhe dha këtë përgjigje:

– Ne Zotin do ta respektojmë siç i takon! I kena shumë gjona mangut, e lejmë Zotin anash edhe sëmundjet Zoti na i hudh, jo virusin, jo gripin, jo kancerin, tërmetin patjetër. Kisha një thirrje për të gjithë shqiptarët, me bo të gjithë duà (falje), me dal të gjithë në shesh. Ndryshe, po nuk i bëre duànë (faljen), nuk ikën virusi…
Këtu, ligjërata e besimtarit, arriti kulmin e vet. Dhe Fevziu u shtang, mbylli gojën duke e puthitur me maskën , uli mikrofonin dhe nuk tha asnjë fjalë për një kohë të gjatë.

Kjo është hera e parë, që kur emisioni “Opinion” nisi në vitin 1990 e ca, ku Fevziu humbi për herë të parë jo vetëm gojtarinë, por edhe gojën.