Besimi: Sigurohen më shumë mjete për shëndetësinë dhe shpenzimet kapitale, përkrahjen e ekonomisë dhe qytetarëve

Duke theksuar se shëndeti është prioritet, përkatësisht shëndeti i qytetarëve, ekonomia dhe finacat e shëndosha, ministri theksoi se mbetet angazhimi për të investuar në mallra të përhershme me fokus në zbatimin e projekteve të infrastrukturës kapitale në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe infrastrukturën komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në sektorin e shëndetësisë, arsimin dhe sektorin social, bujqësinë dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Janë siguruar 3 miliardë denarë shtesë për sektorin e bujqësisë, 685 milionë denarë për mbrojtjen e mjedisit jetësor përmes Programit të ri të zhvillimit të gjelbër, 416 milionë denarë shtesë për sektorin social për pagesën e kompensimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe të drejtave sociale, 200 milionë denarë për racione të studentëve, si dhe 880 milionë denarë për kthimin e TVSH-së .

Me anë të ndryshimeve janë siguruar mjete shtesë të destinuara për shëndetësinë, insulinë për pacientët e varur nga insulina, prokurimin e vaksinave përmes mekanizmit COVAX, prokurimin e automjeteve transportuese dhe frigoriferëve për ruajtjen e vaksinave dhe mjete për furnizimin e punkteve të vaksinimit , si dhe prokurimin e pajisjeve për hulumtimin e cilësisë së mazutit në mënyrë që të sigurohet mjedis më i pastër jetësor.

Sigurohet rritja e mjeteve të destinuara për përkrahjen e turizmit përmes shfrytëzimit të vauçerëve, sanimin e problemit me vendosjen Studençishko Bllato, vendosjen e rrethojës mbrojtëse në lumin Otinja, ndërtimi i një pjese të instalimit të furnizimit me ujë për vendbanimin e Studeniçanit, ndërtimin e rezervuarit, pompës dhe pusit për furnizim me ujë të pijshëm për vendbanim në fshatin Strmnicë, komuna e Zhelinës, si dhe sigurimin e mjeteve shtesë në sektorin e bujqësisë për kantinat e vogla familjare të verës.
Shpenzimet kapitale planifikohen të jenë në nivel prej 30 miliardë denarë ose për 5.7 miliardë denarë më shumë se plani për vitin 2021.

Me ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit për vitin 2021, u bë ridizajnim i shpenzimeve me pjesëmarrje më të madhe të shpenzimeve kapitale në shpenzimet e përgjithshme, ku rritja prej 24% të shpenzimeve kapitale është si rezultat i sigurimit të mjeteve të nevojshme për realizimin e pjesës së masave të Qeverisë, siç janë 615 milionë denarë për kredi pa interes përmes Bankës Zhvillimore për sektorët më të goditur, 300 milionë denarë për skemën garantuese kreditore përmes Bankës Zhvillimore, 610 milionë denarë për formimin e Fondit për përkrahje të kompanive eksportuese përmes Bankës Zhvillimore, 500 milionë denarë shpenzime kapitale për zhvillim rural IPARD, 90 milionë denarë për investime në objekte sportive, 60 milionë denarë për vendbanimin social në Strumicë dhe 120 milionë denarë për rrethrrotullim me mbikalim dhe nënkalim Slloveneçka, 55 milionë denarë për kopshte të fëmijëve dhe qendra sociale, 123 milionë denarë për rikonstruim të institucioneve shëndetësore publike.

“Politika fiskale gjithmonë duhet t’i përgjigjet nevojave reale, ta përkrahë rritjen dhe zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe ta përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve. Prandaj, qëllimet kryesore e Buxhetit për vitin 2021 janë përforcimi i financimit të sistemit të mbrojtjes shëndetësore dhe ruajtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, përkrahja e stabilizimit ekonomik dhe vendosja e themeleve për rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike dhe rritjen e përshpejtuar, si dhe financimi i pandërprerë i funksioneve themelore të shtetit dhe përkrahja për reformat në gjyqësi dhe integrimet euroatlantike”, theksoi ministri.

Ekonomia pritet që të rimëkëmbet gjatë këtij viti, me ç’rast rritja projektohet të jetë 4.1%. Rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe intensifikimin gradual të saj do të kenë investimet. Rritja reale e investimeve bruto është projektuar në 8% për vitin 2021, në kushte të rritjes së pritur dhe investimeve publike dhe private. Konsumi, pritet të shënojë rritje reale prej 4%, kurse rritja e konsumit publik është e projekuar në 4.3%. Eksporti parashihet të shënojë rritje prej 10.6%, kurse importi prej 11% në bazë reale. Numri i të punësuarve parashihet të rritet me 1%, gjë që do të kontribuojë që shkalla mesatare e punësimit të rritet në 47.5%, ndërsa shkalla e papunësisë të ulet në 15.8%.

Buxhetit të RMV-së, në periudhën e ardhshme është krijuar plotësisht në funksion të arritjes së prioriteteve strategjike, përshpejtimin e rritjes ekonomike, prioritetin për proceset integruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe detyrimet që dalin nga anëtarësimi në NATO.
Buxheti është likuid. Ka realizim të shkëlqyer të të hyrave që ishte dhe një nga prioritetet e Ribalancit, ndërsa shpenzimet realizohen në mënyrë të rregullt dhe në kohë në kuadër të parashikimeve dhe pritjeve. Të hyrat nga fillimi i vitit shënuan rritje prej 15.6% në raport me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.