Sfidat janë para nesh, ne i ndjekim në baza javore dhe punojmë që çështjet t’i zgjidhim sa më shpejt që të kemi një ndikim të vogël, tha ministri i Financave Fatmir Besimi gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin ekonomik Delfi.
Ai vlerësoi se pasojat e pandemisë nuk kanë mbaruar ende, ndërsa se pushtimi rus në Ukrainë e vështirësoi situatën edhe më shumë, por theksoi se ne nuk jemi përjashtim dhe as ndryshe nga ajo që po ndodh në ekonomitë e tjera, duke shpjeguar se qeveria me një pako prej 26 masash antikrizë në vlerë 615 milionë euro e amortizon rritjen e çmimeve.
Megjithatë, ai theksoi se për shkak të shkëmbimit të vogël tregtar me Rusinë dhe Ukrainën, pasojat nuk janë ndjerë drejtpërdrejt, por janë reflektuar në mënyrë indirekte përmes vendeve të tjera dhe në rritjen globale të çmimeve të energjisë dhe të produkteve ushqimore bazë.
Lidhur me prioritetet afatshkurta dhe afatgjata të Qeverisë, Besimi shpjegoi se problemet e krizës duhet të zgjidhen në afat të shkurtër dhe se masat e marra për përballimin e krizës vazhdojnë të zbatohen.
Bëri të ditur, se në nivel shtetëror ne duhet të hartojmë plane emergjente në rast të reduktimit të mëtejshëm ose në skenarin më të keq të një pezullimi të plotë të furnizimeve me gaz rus në BE.
“Nëse ka një iniciativë, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në një aksion të përbashkët të mundshëm në nivel të BE-së për prokurimin e përbashkët të gazit natyror. Autoritetet duhet të ndërtojnë më tej buferat fiskalë dhe të krijojnë një hapësirë fiskale për t’u marrë me ndërhyrjet e mundshme në të ardhmen”, tha Besimi.
Ai shtoi se strategjia e Qeverisë është të diversifikojë furnizimin me energji dhe përmendi se jemi pjesë e interkonjektorit me Greqinë, por edhe pjesë e terminalit të gazit të lëngshëm natyror në Aleksandropoli.