Një ditë pas takimit mes Zaevit dhe Kasamit, nga Lëvizja Besa thonë se nuk do të votojnë PRO ndryshimeve kushtetuese, nëse nuk pranohen kërkesat e tyre. Kjo parti përmes amendamenteve kërkon të hiqet fjala “makedonsko” për qytetaret shqiptarë. Kërkesa tjetër është që në paragrafin e kujdesit të shtetit ndaj diasporës, qytetarët të përcaktohen me radhë sipas përkatësisë etnike, ashtu siç janë në preambulë.
“Për çështjen e shtetësisë të hiqet “makedonsko” për qytetaret shqiptarë dhe qytetarët nga diaspora të shkruhen sipas përkatësisë etnike ashtu siç janë në preambule. Këto dy çështje janë të pa negociueshme dhe pa realizimin e tyre nuk ka vota për ndryshimet kushtetuese. Të martën në nivel të grupeve do flitet për formulimin juridik të kërkesave te Lëvizjes Besa dhe nëse këto pranohen nga të dyja palët do ketë epilog pozitiv”, tha Lëvizja Besa.
Përveç këtyre dy amendamenteve, Besa kërkon që të ndryshohet neni dy i amendamentit 5 të Kushtetutës me qëllim që gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe të figurojnë bashkërisht si gjuhë zyrtare, si dhe presidenti i shtetit të mos mund të bllokojë miratimin e ligjeve duke mos i nënshkruar ato.
Edhe partia e Ziadin Selës, kërkon që kryeministri Zaev të reflektoj.
“Shpresojmë se Kryeministri Zaev do i thërras arsyes dhe do gjej kapacitete demokratike brenda vetes së tij dhe shumicës parlamentare për të përkrahur amendamentet e opozitës shqiptare, të cilat jo vetëm se do ta garantojnë konceptin multietnik të Shtetit, por do ta bëjnë një Kushtetutë gjithëpërfshirëse që në mënyrë të barabartë do t’i trajtonte qytetarët e saj brenda sistemit politik. Për vendimet e mëtutjeshme do të vendosin organet partiake të ASH-së”, u shprehën nga Aleanca për Shqiptarët.
Një ditë më parë kryeministri tha se do të bëjë gjithçka për të siguruar një shumicë prej dy të tretash në mbështetje të ndryshimeve kushtetuese. Ai njoftoi se do të takohet edhe me Zijadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët. Ai tha se nga të dytë pret seriozitet dhe përgjegjësi. Faza finale e ndryshimeve kushtetuese të Marrëveshjes së Prespës fillon më 9 janar.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE njoftoi se nuk do të marrë pjesë, prandaj është e sigurt se debati nuk do të zgjasë 12 ditë, për aq kohë sa lejohet maksimumi, kështu që votimi duhet të pritet deri më 15 janar. Më së paku nevojiten 80 vota për ndryshimin e Preambulës dhe mbështetja e Badinterit.