Bërns: Vazhdoni me reformat dhe luftën kundër korrupsionit

Implementimi i rekomandimeve për politikat dhe jurisprudencën që lidhen me antikorrupsionin dhe konfliktin e interesave, kritere të përforcuara për zgjedhje në bazë të meritave, nisma për qytet të hapur, mbi 400 përmbledhje të të dhënave nga institucionet dhe kycjen e qytetarëve në proceset e vendimarrjes, janë vetëm një pjesë e aktiviteteve që janë zbatuar në kuadër të projektit për partneritet për zhvillim midis SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut.

Ambasadorja Meri Kejt Bërns tha se korrupsioni mbetet sfida kryesore me të cilën duhet të përballet vendi.

Maqedonia e Veriut të vazhdojë reformat madje edhe nëse ato shkaktojnë ndarje të caktuara politike. Ky ka qenë mesazhi i ambasadores së SHBA-së në Shkup, Meri Kejt Bërns, gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes e grantit për partneritet për zhvillim midis SHBA-ve dhe RMV-së.

Sipas ambasadores amerikane, korrupsioni është një nga sfidat kryesore me të cilat përballet Maqedonia e Veriut, që sipas saj, minon sundimin e së drejtës dhe konkurentshmërinë ekonomike.

“Siç tha Presidenti Bajden, korrupsioni është kancer, që han besimin e qytetarëve në demokracinë, ul instinktin për inovacione dhe kretaivitet. Harxhon talentin e gjithë brezave. Kjo i frikëson investimet dhe vendet e punës. Kemi bërë përparime por ka edhe shumë për t`u bërë dhe do të vazhdojmë të jemi me RMV-në derisa përballeni me reforma të ëvshtira dhe të siguroheni se të gjithë janë të njëjtë para ligjit dhe korrupsioni nuk do të tolerohet” – Meri Kejt Bërns, ambasadore e SHBA-së në Shkup.

Ndryshe, 10.3 milionë dollarë shtesë mbështetje amerikane për zhvillimin e shoqërisë demokratike dhe për ekonomi konkuruese, do të fitojë vendi me amendamentin e Marrëveshjes për grante për partneritet për zhvillim me SHBA-të. Amendamenti u nënshkrua nga Ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe Drejtorja e USAID-it në RMV, Xheri Dajbëll, në prezencë të ambasadores Kejt Meri Bërns.

Ambasadorja amerikane theksoi se edhe pse largohet nga vendi ynë për shkak se i skadon mandati, do t`i ndjek zhvillimet në Maqedoninë e Veriut duke përsëritur se SHBA-të janë dhe do të mbeten partner të vendit.