Bërnabiq: Ushtria serbe tani mund të guxojë të mbrojë serbët në Kosovë

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq këtë të enjte në deklaratën e saj ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake në Kosovë në rast të rrezikimit të jetës së serbëve në Kosovë.

Në një deklaratë për mediat Bërnabiç është shprehur se nuk qëndrojnë konstatimet se Beogradi nuk po bën krejt ç’ka është e mundur dhe se serbët nga Kosova gjithnjë e më pak po besojnë se shteti i Serbisë mund t’i mbrojë ata.

“Sikur Serbia të ishte më e dobët, sot do të kishim një Kosovë etnikisht të pastër. Serbia ka arritur të imponohet si një partner konstruktiv dhe i parashikueshëm, i cili vazhdimisht bën thirrje për paqe dhe stabilitet. Kështu që ju nuk mund të thoni që Beogradi është fajtor për diçka, por që Prishtina është burimi i paqëndrueshmërisë. Së dyti, sot Serbia është pakrahasimisht më e fortë ushtarakisht sesa ishte më parë. Sot, ajo mund të guxojë të mbrojë serbët në Kosovë dhe Metohi”, deklaroi Bërnabiqi.

Shefja e ekzekutivit serb përmendi vijat e kuqe të Serbisë që duhen kaluar për një intervenim ushtarak.
Kryeministrja serbe tha se dëshira e vetme e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është që me veprime të tilla policore t’i bëjë serbët të reagojnë dhe kështu “do ta pushtonte edhe veriun e Kosovës”.

“NATO-ja është garancia që në veri të Kosovës dhe Metohisë nuk do të paraqiten njësitet ROSU. Ato provokime janë të vazhdueshme dhe dëshira e vetme e Albin Kurtit është që serbët të reagojnë ndaj tyre, në mënyrë që ai pastaj të pushtojë edhe veriun e Kosovës dhe Metohisë. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë është të tregojmë konstruktivitet, të apelojmë për paqen dhe stabilitetin, por gjithashtu të themi se ka vija të kuqe dhe se ne do të ruajmë paqen dhe stabilitetin me çdo kusht”, thekson ajo.

Sipas saj, sikur situata e djeshme të vazhdonte edhe më tej, “që të vazhdonin të shtënat me armë ndaj serbëve dhe që njësitet ROSU të mos tërhiqeshin dhe të vinte deri te një spastrim i ri etnik ndaj popullit serb, ajo do të ishte vija e kuqe, dhe këtë ne s’do ta toleronim”.

Ndër të tjera, kryeministrja serbe tha se deri te tërheqja e djeshme e njësiteve ROSU nga veriu ka ardhur pas telefonatës që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pati me të dërguarin e BE-së dialogun, Miroslav Lajçak.

“Situata nuk është e lehtë, është jashtëzakonisht e paqëndrueshme. Gjithçka për të cilën paralajmëruam po bëhet e vërtetë, në kushtet e paqëndrueshmërisë së madhe falë politikës së çmendur të Albin Kurtit, i cili është një fanatik ideologjik, një njeri që kërcënon me luftë çdo ditë”, ka thënë ndër të kreta shefja e qeverisë serbe.