Bërnabiq thotë se është e pamundur të flasësh me Kurtin

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka vlerësuar se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit nuk ka qenë kurrë më i vështirë se tani.
Ajo e theksoi se ishte e pamundur të flitej me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Bënabiq shpjegoi se procesi i dialogut tani është i vështirë pasi sipas saj njerëzit nga Kosova të cilët janë duke negociuar nuk janë të interesuar për projekte rajonale, por vetëm dërgojnë mesazhe që Serbia duhet të gjunjëzohet dhe se është çështje ditësh kur Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Ata nuk dëshirojnë të flasin për ndonjë gjë tjetër. Është një situatë jashtëzakonisht shumë e vështirë, por ne duhet të qëndrojmë në dialog”, ka thënë Bërnabiq për Tv Prva.
Ajo po ashtu ka thënë se shumë gjëra dhe marrëveshje që janë arritur në samite që janë organizuar për Ballkanin Perëndimor nuk kanë filluar të realizohen si pasojë e pengesave nga politikanët e Prishtinës.