Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se është për keqardhje që lideri i partisë fituese të zgjedhjeve në Kosovë, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk është një përparësi e tij.
“Mendoj se ky është joseriozitet i elitave politike në Prishtinë. Dialogu është mënyra e vetme për të pasur një marrëveshje për normalizim, që do të nënkuptonte më shumë begati, përparim ekonomik dhe stabilitet. Unë nuk e di se çfarë tjetër mund të ishte prioritet më i madh”, tha Bërnabiq.
BE-ja pret që Qeveria e re e Kosovës ta ketë prioritet dialogun
Ajo tha se arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve duhet të jetë një përparësi për Prishtinën. Sipas saj Kosova nuk ka “perspektivë” pa dialog dhe marrëveshje me Beogradin. Këtë e argumentoi me faktin se më shumë se gjysma e botës nuk e njohin Kosovën. Bërnabiq shtoi se Kosova “nuk mund të negociojë anëtarësimin në BE” pasi pesë vendet anëtare të bllokut nuk e njohin si shtet.
“Ne jemi këtu për dialog”, tha ajo në një konferencë për media.
Pas daljes së rezultateve preliminare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën në Kosovë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se formimi i një ekipi negociues për dialogun me Serbinë nuk është përparësi e tij, pasi siç tha, kjo është një përparësi e gjashtë apo e shtatë për qytetarët e Kosovës.
Kurti për AFP-në: Barazia duhet të jetë pika fillestare e bisedimeve me Serbinë
“Prioriteti ynë është punësimi dhe drejtësia”, tha Kurti, duke shtuar se nëse Kosova është e dobët në aspektin ekonomik, Serbia nuk do të respektojë asnjë marrëveshje.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropina kishte filluar para dhjetë vjetësh. Pas një ngecjeje gati dyvjeçare, procesi rifilloi verën e vitit të kaluar. Por, për shkak se Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare, raunde të reja të bisedimeve në nivel të lartë nuk ka pasur që nga vjeshta e vitit të kaluar, ndërkohë që janë zhvilluar vetëm disa takime në nivel të ekspertëve.
Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.