Bërnabiq: “Kurti nuk mund të kthehet para vitit 2013, marrëveshjet duhet të realizohen – BE-ja garantues i tyre”

Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht faktori ndërkombëtarë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duhet të ndikojnë më shumë në Prishtinën zyrtare në mënyrë që të kthehet në tryezën e bisedimeve, tha kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

“Nëse flasim për marrëveshjen e Brukselit, ajo duhet të realizohet. Unë nuk shoh alternativë tjetër. Nëse duam të negociojmë një marrëveshje tjetër për normalizimin, fillimisht duhet të zbatojmë të parën”, theksoi ajo.
“Nuk e shoh fare opsionin e kthimit në periudhën e para vitit 2013, të anulojmë të gjitha marrëveshjet dhe gjithçka që kemi përmbushur ndërsa Prishtina nuk ka përmbushur asgjë dhe të negociojmë një marrëveshje të re”, tha Bërnabiq.

“Nuk ka një mundësi të tillë”, pohoi Brnabiq dhe theksoi se “kjo është një marrëveshje ndërkombëtare, garantues i së cilës është BE-ja dhe duhet të zbatohet, gjegjësisht Prishtina duhet të formojë Asociacionin e Komunave Serbe”.

Ajo vlerësoi se gjendja ekonomike në Kosovë nuk mund të përmirësohet derisa të arrihet një marrëveshje afatgjatë e qëndrueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Nëse Albin Kurti interesohet vërtet për punën, cilësinë e jetës dhe perspektivën e të rinjve, atëherë dialogu me Beogradin duhet të jetë i pari. Ai mendon se kjo është një punë e kryer dhe se Kosova është e pavarur. Ai është një fanatik ideologjik”, ka thënë Bërnabiq.